E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, grupi i lojtarëve ende i paplotësuar

Nga JULIAN KASAPI

Lushnja ka mbyllur javën përgatitore me një miqësore, të cilën e ka luajtur në Durrës me skuadrën e Teutës. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bano gjatë kësaj periudhe ka përparuar në aspektin tekniko-taktik dhe ka lënë pas atë të ngarkesave fizike në mënyrën më të mirë të duhur. Kontingjenti i verdhjeshilëve, tashmë duket se është në gjendje të përballet me çdo kundërshtar të kalibrit të tij. Përgatitjet intensive dhe merkatoja e zhvilluar kanë qenë të gjitha në kuadër të një synimi të vetëm, atë të ngjitjes në Superligë. Donatorët e skuadrës po i qëndrojnë shumë pranë futbollistëve dhe stafit teknik për arritjen e objektivave. Nga ana tjetër edhe presidenca e klubit e drejtuar nga kryebashkiaku Fatos Tushe ka garantuar, se financat do të jenë të sigurta për sezonin futbollistik 2012-2013. Grupi i lojtarëve, sipas stafit teknik nuk është plotësuar ende, pasi kërkohet ende një sulmues. Canka dhe Galica kërkojnë mbështetje nga një tjetër lojtar i repartit ku ata aktivizohen, pasi sezoni do të jetë i gjatë dhe i vështirë. Miqësorja me Teutën ka përfunduar me shifrat 2-2, ku shënues për të besuarit e trajnerit Bano kanë qenë Grizha dhe Metushi i hedhur në fushën e lojës në pjesën e dytë. Sipas numrit 1 të stolit të verdhjeshilëve, skuadra ka zhvilluar takime me nivel loje të kënaqshme edhe pse ka qenë një periudhë e ngarkuar me seanca stërvitore të lodhshme, por të domosdoshme. Ai shprehet se në ekip po  punohet për ti dhënë dorën e fundit përgatitjeve para startit të sezonit dhe për të qenë kështu të gatshëm për të përballuar me sukses sfidat që do të zhvillohen gjatë kampionatit të ri.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›