E Diel, 1 Nëntor 2026

Përse ka frikë Rama

 

Edmond Arizaj

Në zgjedhjet lokale të 2007, kryetari i PS-së, Edi Rama, hezitoi për një kohë të gjatë të hynte në garë për kryeqytetin. Pavarësisht mbështetjes që i jepej nga aleatët dhe nga qytetarët, vetëm pasi mori garanci të shumëfishta në shumë anë të tjera, ai kandidoi dhe fitoi. Disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të qershorit të 2009-ës, është duke ndodhur e njëjta skemë në Partinë Socialiste me kryetarin e saj Ai kërkon garanci të shumëfishta për fitoren, qoftë edhe duke shkelur mbi parimet e demokracisë, të cilat duhet pranuar që tashmë as nuk përfillen më.
Në një kohë kur shqiptarët janë mllefosur deri në tek s’mban më me qeverinë dhe qeverisjen, janë zhvatur sa s’thuhet nga kjo qeveri dhe kur në përgjithësi ekziston një frymë anti-Berishë, Edi Rama, kryetari i partisë më të madhe opozitare aktualisht, reflekton frikë. Nuk mund ta quash ndryshe përpjekjen titanike të të mandatuarve të tij në komisionin bipartizan për të eliminuar pjesëmarrjen e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve e, për rrjedhojë, edhe në nënkomisionet vertikale të këtij institucioni. Pra, “miku i dashur” Ilir Meta e ka derën të hapur në Partinë Socialiste ku drejton Edi Rama, por nuk mund të jetë po kaq i mirëpritur atje ku do të numërohen votat.
Në fakt, prej kohësh pritej një sjellje e tillë dhelpërake e Ramës, i cili flet kundër varfërisë dhe korrupsionit, por armik ka shpallur LSI-në. Ai i dorëzoi amnistinë për Gërdecin kryeministrit Berisha dhe mori në këmbim sistemin spanjoll. Ai i dha Berishës votat për ndryshimin urgjent të Kushtetutës në pika themelore të saj, duke e bërë Berishën ligjërisht shumë më të fortë se kur ishte President dhe si shkëmbim mori proporcionalin rajonal pa korrektim kombëtar. Natyrisht që këto nuk i jepnin siguri maksimale Ramës. Sipas deklarimeve të fundit në media, dhe jo tërësisht të pabesueshme, ai do të japë konsesusin për ligjin për Prokurorinë dhe do të marrë në këmbim largimin e LSI-së. Me këtë, duket se Rama kërkon të përmbyllë edhe garancinë se anëtarët e simpatizantët e kësaj force nuk do të kenë mundësi të jenë prezent gjatë numërimit real të votave, atëherë kur PS në vijim të dhënie-marrjeve me PD, mund lehtësisht të bëjnë ç’të duan dhe të marrin çdo lloj vendimi që duan.
Natyrisht që serioziteti fals i Xhafës, nuk mund ta mbulojë mirë të gjithë këtë lojë shumë të pandershme që po bën PS-ja dhe Rama. Akuza qeverisë për fshatin (pyeti ariu nga mizat?!) dhe nga ana tjetër lutje ndaj njerëzve të kësaj qeverie për të miratuar një kod që sulmon pikërisht aleatin më potencial të PS-së.
Frikës së Ramës, përderisa aktualisht nuk ka asnjë justifikim tjetër mund t’i jepet vetëm një shpjegim; ai i trembet LSI-së dhe Ilir Metës. Dhe realisht ai e ka të humbur deri tani betejën politike me këtë forcë tjetër opozitare përkundrejt qëndrimit ndaj Berishës dhe mbrojtjes ndaj shqiptarëve. I humbur në këtë betejë politike, Rama ka nxituar të fitojë betejën e urithit, atë teknike, duke pasur ende tagrin e partisë së dytë më të madhe në vend, pra duke qenë pjesëtare e komisionit bipartizan, aty ku historikisht janë gatuar çorbët e zgjedhjeve. Rruga e zgjedhur, apo më saktë shtegu i zgjedhur nga Rama dhe këshillues-teknicienët e tij, mund të sjellë një efekt boomerang, po të kihet parasysh reagimi që shkakton tek LSI thika pas shpine. Por jo vetëm kjo parti, por edhe më gjerë, ata që nuk duan të ndërrojnë një diktaturë me një tjetër diktaturë do të dalin kundër Ramës dhe kësisoj edhe kundër PS-së. Por edhe ndërkombëtarët, të cilët pavarësisht se mendjen e kanë te kriza globale, nuk do të dëshironin vendosjen me arrogancën e shumicës të një dypolëshi të rrezikshëm në Shqipëri, të cilët janë të gatshëm të ndajnë mes tyre gjithë çka mbetur ende pa ndarë. Faktorët që do të reagojnë pas dhelpërimit të radhës nga Rama (nuk mund të përgjithësohet Partia Socialiste), mund të jenë të shumtë dhe të ashpër.
Sepse frika e radhës që tregon Rama dhe garancitë e turpshme që kërkon për të fituar pushtetin, nuk janë gjë tjetër veçse një shënjues se kush është njeriu që po kërkon pushtetin në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›