Rama me socialistët në Kombinat: Të ruajmë votat që PS fitoi në 2005
“Nëse marrim votat që PS mori në vitin 2005, jemi të fituar”, - kjo deklaratë e kryetarit të PS, Edi Rama, bërë pak ditë më parë gjatë një takim të zhvilluar me socialistë të njësisë bashkiake nr. 6, dëshmon se synimet e kryetarit socialist janë të ndryshme nga ato që ai deklaron publikisht në media. Kjo deklaratë ka shkaktuar çudinë e socialistëve të Kombinatit, të cilët tashmë janë mësuar me politikën e re të Ramës dhe synimin për të kapur elektorat, përtej së majtës dhe së djathtës.
Duke synuar ruajtjen e votave të Nanos, d.m.th., votat që PS mori në kohën kur drejtohej nga Nano, do të thotë se politika e re e kryetarit të PS nuk jep aq shumë garanci sa duket në deklaratat e tij publike. Të synosh votat e PS së vitit 2005, do të thotë të pranosh se përgjatë tre viteve diçka ka humbur nga elektorati i PS, nëse duhet të pranojmë se diçka është shtuar, pa konsideruar socialistë anëtarët e G99. Ndërsa premtimi i Ramës se elektorati socialist i vitit 2005 do të dyfishohej në 2009, tashmë është harruar. Kjo për shkak se elektorati i atëhershëm ka ndryshuar, pasi me ikjen e Nanos dhe ngjarjet që pasuan me ndryshimet në drejtimin e PS, kanë shkaktuar edhe rrjedhje të elektoratit. Bëhet fjalë për disa socialistë në të gjitha nivelet që mbështesin “politikën e vjetër”, të tjerë që dyshojnë në politikën e Ramës në krye të PS dhe zëvendësimin e tyre me disa të rinj që tre vitet e fundit kanë ardhur në PS, se besojnë në politikën e re të Ramës.
Duket se llogaritë e kryetarit të PS janë të tilla që këto vota të rrjedhura për shkak të ndryshimeve në drejtues të PS që në Kryesi, Asamble Kombëtare e deri në drejtuesit e PS në bazë, të jenë zëvendësuar me elektorat që sot është pranë PS për shkak të drejtuesve të rinj të kësaj partie. Kjo do të thotë se rrjedhjet dhe zëvendësimet, sipas drejtuesve të PS, të jenë në të njëjtën shkallë, sa kohë që vetë kreu i PS ka deklaruar se, nëse jemi në nivelet e vitit 2005, pra, nëse PS merr aq vota, atëherë është e fituar. Sidoqoftë, kjo deklaratë është e kundërta e asaj që kreu socialist deklaron si synim kryesor, me të cilin është identifikuar në tre vitet e drejtimit të tij në PS.
Në premtimet publike të Ramës, dominon thënia: “Përtej së majtës dhe së djathtës… për të rrëzuar politikën e vjetër… etj”, por votat e vitit 2005 janë pikërisht ato të politikës së vjetër, siç e quan kryetari i PS. Kësisoj, premtimet e kryetarit socialist përgënjeshtrohet plotësisht prej vetë atij, kur pretendon të ruajë ato vota që PS mori kur drejtohej nga paraardhësi i tij, Fatos Nano, i cili më pas rezultoi kundërshtar i madh i Edi Ramës, i tillë vazhdon të jetë edhe sot. Në qoftë se me të vërtetë synimi i kreut socialist dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë është pikërisht ruajtja e votave të vitit 2005, atëherë ata vetë pranojnë se tre vite në krye të PS asgjë nuk ka ndryshuar në parime, por veçse në njerëz. Ndryshim ky që është pasuar me ikje dhe ardhje të një grupi të caktuar njerëzish si elektorat pranë PS. Nuk dihet se mbi ç’baza e mbështet shpresën për fitore Edi Rama, nëse synon votat e 2005, veç në shpresoftë për marrëveshje me LSI. Sipas rezultateve të 2005, pa LSI e majta nuk fitonte, por as sistemi i ri zgjedhor nuk ia garanton fitoren, edhe pse mund të ketë disa mandate më shumë.