Fatmir Thaçi, një mjek dhe familjar i përkushtuar
Fatmir Thaçi, prej shumë vitesh punonte si mjek radiolog në spitalin e Durrësit, madje ishte përgjegjës i shërbimit të radiologjisë në këtë spital. Dje ai kishte dalë si zakonisht nga shtëpia për të mbërritur në dhomën e mjekut, nga ku nuk ka mundur të dalë më për shkak të asaj që pasoi vetëm pak kohë pas fillimit të ditës së punës. Ashtu si ai, edhe bashkëshortja është mjeke. Gjinovefa punon në qendrën shëndetësore të lagjes numër 17 në Durrës dhe së bashku me të shoqin ndante pasionin për mjekësinë dhe përkushtimin për shëndetin e njeriut. Kolegët tregojnë se çifti Thaçi ka dy vajza, të cilat janë studente. Të gjithë e njohin viktimën si një njeri të mirë e të nderuar, familjar të rregullt dhe se që në momentin kur emri i tij u përfol për vetëvrasjen e infermieres në fillim të muajit korrik e kishin vënë në dyshim vërtetësinë e kësaj historie. Familjarët e tij me të drejtë, dje, kanë kërkuar dënimin maksimal për autorin.