E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatmira Laska dhe Thimjo Kondi, në fund të mandatit

Dy institucione të larta kushtetuese presin të ndërrojnë drejtuesit. Në bazë të ligjit themeltar të shtetit, Thimjo Kondi dhe Fatmira Laska janë në prag të skadimit të mandatit të tyre. I takon Presidentit të Republikës që të propozojë emrat për zëvendësimin. Hap pas të cilit do të mund të kalohet në votim parlamentar, duke marrë pëlqimin e kërkuar. Me dekretet e datës 21 dhe 7 qershor 1999, Thimjo Kondi është caktuar kryetar i Gjykatës së Lartë. Do të jetë data 7 qershor e këtij viti që do të shënojë fundin e mandatit të tij dhe Presidenti Topi duhet të propozojë zëvendësuesin. Sipas nenit 136 të Kushtetutës, anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Njëri nga anëtarët emërohet kryetar sipas procedurës së parashikuar në paragrafin 1 të këtij neni. Ndërsa kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi. Fatmira Laska, kryeinspektorja e Inspektoratit të Përgjithshëm të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbaron mandatin e saj më 10 korrik të vitit 2008. Sipas të dhënave, rezulton se ajo është zgjedhur në këtë detyrë në po të njëjtën datë të pesë viteve më parë. Sipas ligjit, organi përgjegjës për kontrollin e deklarimit të pasurive është inspektori i përgjithshëm. Ai zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit, ndërmjet dy kandidaturave, për një mandat 5-vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›