Rusia, bursa shkollore për Shqipërinë

TIRANË - 20 studentë do të kenë mundësinë që do të studiojnë në Rusi gjatë vitit akademik 2008-2009. Bëhet fjalë për 15 studime pasuniversitare dhe 5 universitare, falë një bashkëpunimi në fushën e arsimit ndërmjet dy qeverive, asaj shqiptare dhe asaj ruse. Masa e bursës së studimit nuk i përfshin të gjithë shpenzimet, ajo parashikon vetëm tarifën e shkollimit, që do të thotë se studentët duhet të paguajnë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 200 dollarë në muaj, bashkë me siguracionin shëndetësor, që kap shumën e 200 dollarëve në vit. Sipas dikasterit të Arsimit dhe Shkencës, për realizimin e programit studimor, të gjithë studentët që nuk kanë njohuri për gjuhën ruse duhet t’i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator të këtij viti. Kandidatët për studime universitare duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, pranë MASH-it, kërkesën, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë, vërtetimin e notave për tre vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme, i cili kërkohet të jetë firmosur nga drejtoria ose zyra arsimore e rrethit përkatës. Po kështu, nevojitet raporti mjekësor për aftësi studimesh, raportin mjekësor për virusin HIV/AIDS, certifikatën e lindjes me fotografi, 4 fotografi dokumenti të formatit 4 x 6. Ndërsa kandidatëve të cilët kërkojnë të vazhdojnë studimet pasuniversitare u kërkohet të paraqesin kërkesën drejtuar Ministrisë së Arsimit, duke specifikuar degën në të cilën dëshirojnë të studiojnë, diplomën e shkollës së lartë, fotokopjen e noterizuar, listën e notave, fotokopjen e noterizuar, dy rekomandime nga profesorë të universitetit, listën e artikujve shkencorë të botuar nëse ka të tillë, ose një përshkrim të shkurtër të temës së studimit të ardhshëm, certifikatën e lindjes me fotografi, raportin mjekësor për aftësi studimesh, raportin mjekësor për virusin HIV/AIDS, 4 fotografi të formatit 4 x 6. Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve është data 15 prill.