E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatos Beja ; Ku gaboi Bamir Topi

Është personi që do të hartojë një raport kundër Presidentit Bamir Topi, ish-kolegu i tij në grupin parlamentar të PD-së. E ka nisur punën për këtë dhe është fare i qetë dhe analizues në argumentet e tij kundër kreut të shtetit, të cilit vetëm një vit më parë i dha votën. Fatos Beja, kryetar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, flet për gazetën “standard”, para se të çojë në Kuvend raportin e komisionit, ku “rrëzohen” pesë emrat e sjellë nga Topi për Gjykatën e Lartë. Ai merr në analizë të gjitha problemet ligjore që shfaqen në këtë rast, ku del një lajm i ri. Njëri nga emrat e dekretuar ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë. Një cenim direkt i Kushtetutës që parashikon qartësisht që një anëtar i kësaj gjykate nuk mund të ketë mandat të dytë. Megjithëse Beja nuk na e tha emrin, ne mësuam se bëhej fjalë për Zamir Podën. Ai mendon se probleme ka dhe me emrat e tjerë, duke marrë parasysh kriteret që përcakton ligji për t’u zgjedhur në këtë gjykatë. Bëhet fjalë për Altina Xhoxhajn, Artan Zenelin, Kristaq Trajën dhe Medi Bicin. Për herë të parë na vjen një diskutim i ri për këtë çështje, që ka të bëjë me emrat dhe jo vetëm me procedurat që janë ndjekur në këtë rast, për të cilat Beja, ashtu si pjesa tjetër e PD-së, mendon se kanë qenë të gabuara.

Zoti Beja, duke filluar nga 12 maji, Presidenti ka dërguar 5 dekrete në Kuvend për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por ato u bënë shkak që të nisë një konflikt i vërtetë mes mazhorancës dhe kreut të shtetit. Çfarë mendoni se nuk shkoi mirë me këto dekrete?

Në përputhje me procedurat parlamentare, këto dekrete duhet të kalojnë nga Komisioni i Ligjeve, i cili pasi i shikon, ka për detyrë që të analizojë për secilin dekret, ose më mirë të themi, për secilën kandidaturë që emërohet me këto dekrete, nëse i plotëson ose jo kushtet ligjore për të qenë në atë pozicion për të cilin ka dalë emërimi. Kjo është një detyrë që ky komision e ka për të gjitha kandidaturat që vijnë, qoftë nga Presidenti i Republikës, qoftë nga Konferenca e Gjyqtarëve, qoftë nga rregullore të ndryshme, në përputhje me ligjin. Në të gjitha rastet ne shohim nëse kandidatura i plotëson ose jo kushtet. Në rastin konkret kishim pesë emra, për pesë anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe do të shikonim nëse këta njerëz i plotësojnë ose jo kushtet ligjore. Kërkesat ligjore vijnë nga Kushtetuta, vijnë nga ligji organik për mënyrën e funksionimit të Gjykatës së Lartë të vitit 2000, si dhe vijnë nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që interpreton emërimin e anëtarit të Gjykatës së Lartë. Aty ka disa kërkesa të përcaktuara. Për shembull, të gjithë duhet të jenë juristë dhe ne themi, nëse janë ose jo. Ata që janë gjyqtarë duhet të kenë 10 vjet vjetërsi, ata që janë juristë dhe jo gjyqtarë, duhet të ketë 15 vjet përvojë pune si juristë. Por ka edhe një kërkesë tjetër që thotë se duhet të jetë jurist i shquar. Një kërkesë tjetër është se duhet të jetë deri në 65 vjeç, se pastaj të humbet mandati. Të gjitha këto kërkesa ne duhet t’i shikojmë dhe të japim një përgjigje. Ne na doli se të pesta kërkesat kanë probleme të zbatimit të ligjshmërisë.

Pra, keni shqyrtuar konkretisht emrat e propozuar, sepse në komision patët një debat për mënyrën e procedurës dhe jo për emrat?

Nuk është problemi i emrave konkretë, por ndërkaq për sa i përket procedurës të gjithë emrat janë në një pozicion. Që do të thotë, sipas Kushtetutës dhe nenit katër, procedurat dhe kriteret për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, përcaktohen në ligj. Ligji përcakton se kush janë këto. Atje thotë që anëtari i Gjykatës së Lartë emërohet nga Presidenti, pasi merr më parë mendimin e Kuvendit. Dhe jemi në këtë rast, që nuk është marrë më parë mendimi i Kuvendit për të pesta kandidaturat. Ky është njëri problem. E njëjta gjë thuhet edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në procesin e emërimin, Presidenti duhet të bashkëpunojë me Parlamentin, si institucion. Presidenti dhe Parlamenti duhet të bashkëpunojnë dhe të kooperojnë për të nxjerrë kandidaturat. Edhe kjo rezulton të jetë realizuar. Një nga kandidaturat ka qenë anëtari i Gjykatës së Lartë më përpara, në një kohë kur Kushtetuta kërkon që anëtari i Gjykatës së Lartë zgjidhet për nëntë vjet dhe pa të drejtë riemërimi, pra vetëm njëherë.

Atëherë kjo është komplet antiligjore?

Pikërisht, sepse vetëm një herë ke të drejtë të jesh anëtar i Gjykatës së Lartë. Dhe në përputhje me këtë nen të Kushtetutës, të tërë ata gjyqtarë, anëtarë të Gjykatës së Lartë. që u ka mbaruar mandati që nga viti 1998 e deri më sot, kanë ikur si anëtarë të Gjykatës dhe nuk kanë tentuar dhe nuk mund të tentojnë përsëri, sepse e përcakton kështu Kushtetuta. Në këtë rast njëra nga kandidaturat ka këtë problem.

Duke parë këtë ngërç ligjor, si do të veprohet më tej?

Tani si do të veprojmë? Presidenti i ka çuar dekretet. Komisioni nuk mund t’i mbajë, komisioni nuk mund t’i bllokojë dekretet. Komisioni i analizon, shikon përmbushjen ose mospërmbushjen e kritereve, bën një raport dhe e çon në seancë. Në diskutimet në komision ka pasur dy mendime të ndryshme. Shumica e komisionit vuri në dukje gjithë këtë që nënvizova, problemet ligjore që dalin në këto emërime. Opozita gjykon që të gjitha janë në përputhje me ligjin, dhe kërkojnë të hidhen në votim. Unë si kryetar i komisionit do t’i çoj në seancë të dyja mendimet, edhe të shumicës edhe të pakicës. Aty seanca do të vendosë se si do të veprojë.

... Por si do të veprojë Kuvendi? Do të votojë për mënyrën e procedurës që ka ndjekur Presidenti, apo direkt për emrat e Gjykatës së Lartë?

Seanca do të vendosë se si do të veprojë me dekretet dhe me secilin dekret dhe për secilin prej këtyre propozimeve. Pse seanca? Sepse ka disa mënyra dhe disa alternativa përpara seancës për ta përcaktuar. Në qoftë se të gjithë deputetët mendojnë që... ta zëmë kjo kandidaturë është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, çfarë duhet bërë? Është njëra situatë. Situata tjetër është... një pjesë e deputetëve, ta themi gjysma e tyre, thonë që është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit, ndërsa gjysma tjetër thotë që nuk është në shkelje të ligjit. Çfarë do të bëjmë? Ta fusim në votim? Ja mirë e futëm në votim dhe u votuan... disa fitojnë disa jo. Të flasim për ata që fitojnë. Në qoftë se fiton personi që ka qenë anëtar i Gjykatës së Lartë, del që deputetët kanë votuar kundër Kushtetutës, dhe kundër kërkesës së Kushtetutës. Atëherë çfarë duhet bërë? Këto janë disa alternativa për të cilat duhet të vendosë seanca, derisa të vijë një emërues i përbashkët, si grupe parlamentare etj.

Pra, ju nuk e përjashtoni një votim direkt të dekreteve në Kuvend?

Jo, jo. S’mund të përjashtohet, sepse është pjesë e një procedure. Nuk përjashtohet në asnjë mënyrë. Por është një çështje se si do të votohet dhe kur do të votohet dhe në çfarë kushtesh.

Zoti Beja, duke parë një nga propozimet, i cili ka qenë më parë anëtar i Gjykatës së Lartë, çka nuk e lejon Kushtetuta. Kjo është një gafë ligjore e Presidentit të Republikës?

Tani unë nuk e di se cila ka qenë procedura që ka ndjekur Presidenti për pesë emrat dhe ka nxjerrë dekretet. Kështu që e kam vështirë të shprehem nëse kjo ka qenë evidente përpara se të merrte vendimin Presidenti, apo ka dalë pasi është marrë vendimi nga Presidenti. Është vërtet një çështje që unë e kam vështirë të shprehem, por gjithsesi ne kemi një dekret konkret dhe duhet të shprehemi konkretisht. Tani problemi është... ne duhet të shprehemi në përputhje me Kushtetutën apo është më mirë të shprehemi në zbatim të Kushtetutës. Kjo është çështja që shtrohet dhe në gjitha rastet, duhet të keni parasysh, që bëhet fjalë për zgjedhjen e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë për nëntë vjet. Në qoftë se ne e bëjmë një gjë keq sot, atëherë për nëntë vjet një pjesë jo e vogël, por e madhe, e Gjykatës së Lartë është difektoze që në momentin e parë. Që do të thotë do të vihet në dyshim i gjithë produkti i kësaj gjykate. Kjo është një çështje që ligjet me prestigjin e institucionin.

Keni kërkuar informacion nga institucionet e tjera të shtetit në lidhje me figurat e dekretuara nga Presidenti Topi?

Ne si komision nuk kemi kërkuar. Informacioni është njëra anë, por problemi është se si do të veprosh. Ta zëmë se mora informacion nga institucionet e specializuara të shtetit, informacion i cili e nxin një kandidaturë ose e sjell të shkëlqyer një kandidaturë. Unë nuk kam tagër të veproj që ky është i mirë dhe të kalojë dhe ky tjetri jo. Nuk e bëj dot. Sepse nuk ma njeh ligji, nuk ma njeh rregullorja.

Duke parë gjithë këtë ngërç institucional, cilat mendoni se do të ishin të përshtatshme si alternativa për të kaluar këtë situatë?

Unë mendoj se interesi i përbashkët është i forcave politike, i Parlamentit, i Presidentit, i Gjykatës së Lartë dhe i publikut, sepse janë institucione që pikë të përbashkët kanë interesin e publikut, është që pesë anëtarët e mbetur bosh në Gjykatën e Lartë të zihen nga anëtarë, të cilët do të kenë një bazë të fuqishme ligjore.

Kjo vonesë në emërimin e këtyre anëtarëve të Gjykatës së Lartë është interpretuar nga opozita si një ngërç për punën e kësaj gjykate. Si e cilësoni këtë mendim?

Është e vërtetë që çdo vonesë që mund të fitohet është në dëm të gjykatës dhe këtu ka një problem prapë, sepse anëtari i Gjykatës së Lartë kur i mbaron mandati nuk mund të veprojë më, ndryshe nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese. Ky është një nga shqetësimet tona. E keqja është se opozita në vend që të jetë sa më operuese për ta zgjidhur ngërçin, opozita del fare nga Parlamenti, për të bërë një luftë politike për qëllimet e veta, për të futur në luftë Presidentin dhe mazhorancën. Në këtë rast ajo është bërë bllokuese e procesit, por për më tej le ta gjykojë publiku.

Në rast se Kuvendi i rrëzon këto dekrete, Presidenti do të duhet të dekretojë pesë emra të rinj?

Në rast se, apriori, Kuvendi i rrëzon këto dekrete, atëherë Presidenti duhet të propozojë pesë kandidatura të tjera. Kjo është praktika normale parlamentare. Një dekret kalon në qoftë se votohet në Parlament. Ashtu si një ligj që shpallet nga Presidenti. Pastaj e ka Parlamenti përsëri të drejtën për të votuar ose jo. Por kësaj radhe Parlamenti do të duhet të ketë 71 deputetë. Ky është një proces normal.

Pati edhe një tentativë politike nga grupi parlamentar i PD-së për të biseduar me Presidentit Topi. Pse dështoi kjo tentativë?

Bisedimet, ashtu siç u njoftua opinioni publik, nuk ishin të suksesshme, përderisa nuk ka pasur një lëvizje nga Presidenti në lidhje me pesë dekretet që kanë ardhur.

Ka pasur ndonjë pretendim Presidenti Topi gjatë bisedimeve, pasi në media është shprehur se në këtë proces, është atribut i tij institucional dhe Kuvendi nuk ka të drejtë të ndërhyjë?

Nuk besoj se Presidenti të jetë shprehur në këtë formë. Pse i çon në Kuvend dekretet ai, sepse kandidatura votohen në Kuvend. Presidenti ka të drejtë të çojë kandidatura. Por cili është problemi? Që kandidatura të kalojë, vullneti duhet të jetë i përbashkët.

Në rast se e shohim këtë çështje pak më të gjerë, për shembull, një nga kriteret për shkarkimin e Presidenti është thyerja e ligjit dhe Kushtetutës. Duke e lidhur me rastin konkret, në rast se vjen një kërkesë për shkarkimin e Presidentit, do ta cilësonit atë si të drejtë?

Unë e përsërita që sa herë Presidenti kthen një ligj dhe sa herë që Parlamenti është kundër për një kandidaturë, nuk do të thotë që Presidenti dhe Kuvendi janë të papërputhshëm. Përkundrazi, është karakteristikë e shoqërive demokratike, që produkti të jetë i përbashkët. Edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për të cilin flasim shumë, këtë kërkon.

Por bashkëpunimi me Kuvendin nuk është bërë...

Duhet bërë. Dhe që të bëhet kjo, duhet të zgjidhet një nga ato mundësitë që ka secili krah që edhe Presidenti të sjellë dekrete të reja, si edhe Kuvendi të rrëzojë dekrete.

Pra, ekziston akoma mundësia, ka kohë ende?

Sigurisht që ekziston mundësia. Pikërisht të gjitha përpjekjet që bëhen, bëhen për ta realizuar këtë gjë. Të kemi një harmonizim midis institucioneve.

A duket ky rast i ngjashëm me precedentin Gjinovefa Gaba, ku ish-Presidenti Moisiu tha se Parlamenti nuk dha asnjë mendim për këtë dekret?

Ajo është një çështje tjetër. Sepse aty ka pasur një kërkesë nga Parlamenti, për t’u shprehur dhe ka pasur shprehje, por jo nëpërmjet votimit, por shprehje për çështje thelbësore në këtë emërim, në lidhje me figurën e saj.

Më vonë do të ketë edhe dekrete të tjera nga Presidenti në lidhje me emërime në sistemin e Drejtësisë. Nisur edhe nga kjo eksperiencë e deritanishme, parashikoni probleme të tjera me Presidentin, duke ditur se së shpejti do të duhet të zgjidhet edhe kryetari i Gjykatës së Lartë?

Unë besoj se në qoftë se respektohet Kushtetuta, ligji dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, pra baza ligjore, nuk ka arsye që të ketë probleme.

Nënkuptoj një hakmarrje politike nga ana e Presidentit...

Jo, nuk e mendoj në këtë formë. Unë mendoj se Presidenti është “gardiani” i Kushtetutës në parim, dhe në çdo vend Presidenti respekton Kushtetutën dhe vepron në përputhje me Kushtetutën. Kështu që... do të ishte tërësisht e padrejtë në rast se do të mendojmë se Presidenti do të ishte i interesuar që t’i kundërvihej Kushtetutës apo ligjit. Në të gjitha veprimet e tij, prezupozohet që të mbështetet në to. Do të thotë se në rastet kur nuk ka përputhje apo harmonizim, bashkëmarrëdhënia me institucionet e tjera çon në korrigjimin e tej dhe zbatimin e Kushtetutës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›