E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kisha e Shën Ndoit, çifti kryeministror në meshë

Kryeministri zgjodhi ditën e 13 qershorit, kur dhe ka ndërruar jetë Shën Ndou për t’u lutur bashkë me pelegrinët që kishin ardhur nga të gjitha zonat e Shqipërisë. I shoqëruar nga bashkëshortja Liri, Kryetarja e Kuvendit dhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Olldashi, Berisha u fut mes pelegrinëve të shumtë dhe mori pjesë në meshën e mbajtur dje në Kishën e Shën Ndoit në Laç.

Kisha e Shën Ndoit, aty ku shkrihen njëherësh të gjitha besimet shqiptare dhe cilësohet si vend i shenjtë për lutjet, priti dje dhe një pelegrin të veçantë, Kryeministrin Sali Berisha. Ai zgjodhi pikërisht ditën e 13 qershorit, datë kur dhe ka ndërruar jetë Shën Ndou për t’u lutur bashkë me pelegrinët që kishin ardhur nga të gjitha zonat e Shqipërisë, madje dhe trevat shqiptare jashtë Shqipërisë. I shoqëruar nga bashkëshortja Liri, Kryetarja e Kuvendit dhe ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, Berisha u fut mes pelegrinëve të shumtë, për të qenë i pranishëm në meshën e mbajtur në Kishën e Shën Ndoit në Laç. Duke u futur mes besimtarëve të shumtë, të pranishëm në meshë, Berisha shprehu besimin se sakrificat do të shndërrohen në mirësi për mbarë shqiptarët. “Shpreh kënaqësinë që jam mes jush për t’u lutur bashkë me ju, për të shprehur besimin dhe shpresën se sakrificat, si ana më fisnike e njeriut, do të shndërrohen në mirësi për të gjithë shqiptarët”, - u shpreh z. Berisha. Por kreu i qeverisë foli para pelegrinëve edhe për rëndësinë e investimeve dhe inaugurimet e bëra nga qeveria për lehtësim të jetesës së banorëve. Ai vuri në dukje qëllimin e vizitës së djeshme në zonën e Laçit, duke thënë se “erdha këtu me një rrugë të re dhe me dy korsi. Bëmë një sërë inaugurimesh si në Shën Koll, Milot, Fushë-Kuqe, investime që do të ndikojnë në lehtësimin e jetës suaj”, - tha Berisha i cili mori pjesë dhe në meshën e mbajtur me rastin e ditës së vdekjes së shenjtorit Shën Ndoi. Kisha e Shën Ndoit është një ndër kishat që tërheq numrin më të madh të besimtarëve shqiptarë të të gjitha besimeve. Furgonët, autobusët dhe makina të tjera sjellin një lumë njerëzish nga viset verilindore, Shkodra, Lezha, Mati, Dibra, por dhe nga Tirana e krahinat jugore, madje dhe nga Kosova e Maqedonia. Në muajin qershor numri i pelegrinëve vjen gjithnjë në rritje, për të arritur në shifrën e 1 milion njerëzve më 13 qershor të çdo viti, datë kur dhe ka ndërruar jetë Shën Ndou. Pikërisht, këtë ditë zgjodhi dhe Kryeministri i vendit për të përuruar dje qendrën komunare të komunës Shën Koll në rrethin e Kurbinit, një nga investimet e fundit që qeveria ka bërë në këtë zonë rreth 50 km larg Tiranës. I shoqëruar nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe deputeti i zonës, Gjok Vuksani, Berisha preu shiritin e kësaj qendre, një investim prej 17 milionë lekësh, që do të jetë në shërbim të komunitetit të kësaj komune me 9 fshatra dhe 15 mijë banorë gjithsej. “Ky investim prej 17 milionë lekësh, mjaft funksional, është një nga investimet e shumta që qeveria ka bërë në komunën e Shën Kollit”, - tha Berisha për banorët e shumtë që ndodheshin në përurimin e saj. Kryeministri përmendi investimet që ka bërë qeveria shqiptare në këtë zonë, duke veçuar 47 milionë lekë për shkollën e mesme, 25 milionë lekë në infrastrukturë, 10 milionë lekë për ujërat e bardha, 100 milionë lekë që janë në tenderim e sipër për rrugën Zejmen - Tale, një rrugë turistike mjaft e rëndësishme për gjithë zonën.

Berisha inspekton punimet e shkollës së Shën Kollit

Kryeministri Sali Berisha inspektoi dje punimet për ndërtimin e shkollës së mesme të bashkuar të Shën Kollit në rrethin e Kurbinit, një investim prej 47 milionë lekësh. Falë këtij investimi, klasat e shkollës së re të komunës me 15 mijë banorë nuk do të kenë më shumë se 25-30 nxënës. Me këtë rast, Kryeministri theksoi se “mënjanimi i mbipopullimit në shkolla është dhe një premtim i qeverisë”. Kryeministri ishte dje në rrethin e Kurbinit në kuadër të turit “Shqipëria në NATO”. Ai shoqërohej nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi dhe deputeti i zonës, Gjok Vuksani.

Berisha: Granti për vendorët, tri herë më i madh

Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës në Laç garantoi se do të dyfishojë grantin për qeverinë vendore. Por ai bëri të ditur faktin se për mandatin tjetër granti për qeveritë vendore do të jetë edhe më i madh. Z. Berisha siguroi kryetarin e komunës se qeveria do të mbështesë çdo projekt të kësaj komune, projekte që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së banorëve. “Zona e Fushë-Kuqes, një nga zonat më të mëdha bujqësore dhe një zonë turistike, do të ketë vazhdimisht vëmendjen e qeverisë“, - tha dje Kryeministri Sali Berisha gjatë përurimit të godinës së komunës Fushë-Kuqe në rrethin e Kurbinit, një komunë me pesë fshatra dhe me 8560 banorë. Pas prerjes së shiritit të përurimit të kësaj ndërtese, së bashku me kryetarin e komunës, Ded Keraj, Kryeministri theksoi se “në një hark kohor prej një orë e 30 minutash përuruam sot rrugë, shkolla, argjinatura, qendra komunare, që në tërësi përbëjnë rreth 1 miliard lekë, investime këto të ndjeshme për komunitetin e këtyre zonave”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›