Save our souls
Del romani i ri i Zija Çelës, “SOS, një buzëqeshje”, botimet “Ideart”. Liria dhe himnizimi i shpirtit të lirë - shkrimtari na sjell romanin e dytë në të njëjtin stil simbolik dhe intrigues, duke bërë të tërhiqen mbramë sera e shkrimtarëve më të rinj për të ripërsëritur historinë e viteve ’30, kur gjesti promovues i takon elitës intelektuale. Arjan Leka dhe shkrimtari Rudolf Marku bëjnë paraqitjen më dinjitoze të romanit të Çelës për t’u përtypur në treg, duke garantuar lexuesin shqiptar për një vepër bashkëkohore, për ta futur në bibliotekë
Save our souls
Rudolf Budina mohon Rudi Bodinakun etj.
G.H. Përshëndetje, unë jam Gerti Haxhiduni, në këtë emision ju flas drejtpërdrejt. Siç e shihni, kam të ftuar në studio një nga VIP-at e qytetit dhe, meqë nuk është e nevojshme t’jua paraqes, po i drejtohem menjëherë. Kemi mësuar se “SOS...” do të ketë botim të dytë. A mund të na thoni përse e keni kontestuar aq ashpër botimin e parë?
R.B. Nuk prisja ta fillonim kështu, duke shmangur premtimet që më keni bërë. Së pari, ky emision do t’i dërgohet i regjistruar autorit të librit. Ne shohim këtu edhe kanale HD nga kryeqyteti, por s’ma pret mendja që atyre të kryeqytetit u bie shpesh të shohin kanale lokale. Regjistrimin mund t’ia dërgoja edhe unë, por kur i dërgohet zyrtarisht nga televizioni juaj, merr më tepër objektivitet. Premtimi i dytë...
***
G.H. Unë kam lexuar një realitet, që ju po synoni ta ktheni në përrallë. Diçka për personazhet e tjera, ta nisim nga Jari. Ka ekzistuar vërtet Jari Kaçinari dhe a keni pasur ndonjë armiqësi me të?
R.B. Ndoshta do të ishte më e drejtë të shpreheshit ndryshe: keni lexuar një përrallë që e keni marrë për realitet. Por s’dua t’i shmangem pyetjes dhe po e nis nga vetja. Balbonasit më njohin mirë, unë quhem Rudolf Bodina, mirëpo dal si Rudi Bodinaku. Kurse Nevila Bodina është bërë Nertila. Siç shihet, ndryshimet e emrave një qime i ndan, por po të vazhdojmë këtë, ju do të thoni se po kontestoj leshin. Unë jam këtu për të identifikuar veten dhe njerëzit e mi, identifikimin e të tjerëve nuk e marr përsipër, kjo është puna e tyre. A do ta bëjnë? Nuk e di. Jo rrallë, në qytetin tonë bëhet ajo që nuk pritet dhe s’bëhet çfarë ishte e pritshme. Në Balbonë sapo ka hyrë një kaktus i ri, s’ka veçse një muaj. Quhet Athanatos, ç’ka do të thotë “I përjetshëm”. Kurrë s’e kisha parashikuar që njerëzit do të jepeshin kaq marrëzisht pas tij.
Po, Jari Kaçinari ka ekzistuar vërtet dhe, për ca kohë, ka punuar në një nga magazinat e mia. Por më tepër ka punuar në fabrikën e salcës dhe te Vlosh Batarja, që njihej si Pagojësi. Vloshi nuk kishte dyqan për brava e çelësa, por një servis për makina m’u në cep të Sheshit Demokracia, sepse ndanë rrugës, pak më tutje, ndodhet pika e karburantit “Orollogaj & Co”. Nuk di që ai djalë, megjithëse i kishte mbushur njëzet e tre vjeç, të ketë bërë ushtri para se të qëllohej. Disa thoshin se rronte vetëm, disa se rronte me Asafin Bakushën, gjyshërit e tij shpirtëror. Ai kishte një dritë që s’i ndahej, njëfarë rrezatimi që buronte prej tij ose i vinte nga larg, s’e them dot çfarë ishte tamam, ndoshta një dhembje për t’u kapërcyer, ndoshta një melankoli që s’kapërcehej, Jarit i jepte frymëzim, kurse vajzat i godiste si për vdekje. Edhe ne të tjerëve, sepse shtangeshim nganjëherë... Ndërsa plakun e plakën, kam përshtypjen se fort rrallë m’i zinte syri, madje druaj se i ngatërroj me një çift tjetër, që përfundoi në azil. Nga Sherif Kasëm Taipi kisha dëgjuar se Asafi ishte përralltar i mbaruar, dhe po Sherifi më ka thënë se në tërë lagjen tonë vetëm ai plak dhe ajo plakë hanin këmbë pulash. Por jemi te Jari. Kur ishte tetë vjeç, ky djali ra në dashuri me Nertilën, edhe vajza me Jarin. Madje, arritën që ta bënin edhe atë punë ose në kopshtin e Bakushës, ose në jerevinë e Licës. Por meqë tjetërkush i kapi në flagrancë, fjala mori dhen. Gjatë gjimnazit dhe sidomos pas gjimnazit, Jarit i ra prapë në kokë për Nertilën. Përsëri qarkulluan ato trashat e seksit në Pazar, por kësaj herë edhe duke futur spica, bie fjala, atë seksin e tyre e quanin si Nata e Provës për martesën e fëmijërisë. Mirëpo koha i kishte lëvizur lojtarët, Jari Kaçinari e kuptonte se tashmë Nertila nuk i binte me sqep. Kurse unë nuk mund ta lija që të më shpëtonte nga dora rasti i jetës. Ata më thoshin dokrra, para se të trokisja për të kërkuar dorën e saj, më në fund u zmbrapsën. Idiotët, më merrnin për njeri me paragjykime. E si mund ta paragjykoja unë mëkatin e tyre në atë moshë kur, ashtu si peshku në ujë dhe zogu në ajër, bibilushi i mashkullit nuk lë gjurmë te femra?
Sa për Pagojësinë... E kam të vështirë ta shpreh se çfarë brenge i shkaktonte Vlosh Batares gjymtimi i tij. E shihja shpesh të ngrysur, me një shikim që zor të thoshe nëse ishte vërtet i lig apo thjesht hetues. Prej fatkeqësisë që i kishte ndodhur, e mbante veten sikur gjithë bota i kishte borxh.
Dhe në raste të tilla borxhi pritet të paguhet, ka pak rëndësi se kush paguan.
Pasi Jari u qëllua, u thirra dy herë nga hetuesit. E dija se hija e dyshimit për mbushjen e armës mund të binte mbi mua, në sytë e të tjerëve unë isha i interesuari për ta hequr qafe. Sipas meje, Vlosh Batarja shfrytëzoi pikërisht këto rrethana dhe, pak nga pak përgatiti rrethanat e veta. Nuk ishin lehtësuese, por shfajësuese. Ai do të thoshte: “Për miqësinë time me Jarin kushdo mund të dëshmojë, s’kam pasur hesape për të larë si ndonjë tjetër. Sa për armën, nuk mund ta di se kush e mbushi armën time, unë dilja nga servisi për kafe dhe aty mund të hynte kushdo. Edhe këtë e dinë të gjithë, siç e dinë të gjithë se kush më mori në mbrojtje për të mos u larguar, kur disa tregtarë të vegjël m’u vërsulën që të shpërngulesha”. Ai i hyri aktit me shpresën se mund t’i vinte goja, dhe goja i erdhi përkohësisht, por prapë i humbi. Me një fjalë, poshtërsia, emocioni i fortë, tmerri, pendesa, të gjitha u bënë bashkë.
G.H. Dhe kështu, ëndrra e Jari Kaçinarit për një fabrikë të vetën mbeti pa u realizuar?
R.B. Unë besoj se do të realizohej. Nuk besoj se Zoti u jep atyre që nuk kanë dhe nuk përpiqen të kenë. Ajo historia me Djallin e Përroit, para se të zbriste në Bardhgolem, dhe prej aty në Balbonë, ka lindur në Shkretan. Po e patë diçka me tepri, nevojtarët ta kërkojnë dhe ti nuk u jep, ta merr Djalli, dhe e hedh në përrua. Shkretani është një katund midis shkrepave. Malet atje nuk janë si ai i Kakarit, janë male të vdekura prej metalit, bakër dhe vetëm bakër. Një grusht njerëzish fitojnë shumë në Shkretan, aksionarët e minierës. Prandaj, ai kërcënimi për Djallin, s’është tjetër, veçse një presion psikologjik, një terror kolektiv që të varfrit bëjnë ndaj të pasurve.
Shkurt, çështje nostalgjie. Të gjithë e dimë se, çfarëdo të bëhet, prapë se prapë në Balbonë dëgjohet krrokama e sorrave. Qyteti ynë nuk ka kufij të qartë, Balbona nuk dihet deri ku mund të thirret Balbonë dhe në këtë qytet të madh, njëlloj si shtëpitë me kopshte, nuk përjashtohet nga krrokamat as Kulla e Sahatit dhe as Kulla e Qendrës Tregtare, sorrat e periferisë dynden ngado. Tani që nuk ka më zogj të tjerë, prej mallit që ndjejnë, njerëzit po e këndojnë më shpesh atë këngën e vjetër “O bilbil, o mbreti i shpendëve”. Dhe e këndojnë gjithë mallëngjim, sikur ai zogth të ketë qenë ndonjëherë luan.
G.H. Unë nuk thashë se Jari Kaçinari që keni parasysh, ka qenë një bilbil, as një luan. Por, si çdo njeri tjetër, a nuk kishte ai diçka të vetën, krejt të vetën, që ta bënte të ndihej mbret?
R.B. Në njëfarë mënyre e pranoj. Ai njeri, pavarësisht në ç’gjendje ndodhej, ishte apo nuk ishte më qejf, kujtdo që haste rrugës i buzëqeshte. Dhe sapo i zinte xhepi ndonjë kacidhe, e kishte zakon t’u niste SMS të tjerëve, thjesht për t’i kujtuar. Mos vallë këta tipa nuk arrijnë të jenë të vetëmjaftueshëm, pra nuk bëjnë dot pa tjetrin?
Megjithatë, kushdo që lexonte mesazhin e tij, i vinte ndër mend fytyra e Jarit dhe atëherë, me dashje a pa dashje, buzëqeshte edhe vetë. Ai prandaj na dërgon SMS, thoshin balbonasit, e di se vëmë buzën në gaz dhe na e bën dhuratë buzëqeshjen. Madje, patën nisur edhe ca mistifikime. Sipas disave, ishte e vërtetë se atë pasuri djalit ia kishte dhënë Zoti, por nëse Jari Kaçinari do ta mbante vetëm për veten, atëherë transmetimi i buzëqeshjes në distancë nuk do të njihej në Balbonë.
Këtë e tha edhe Pandora Bici, zonjusha që bën kurse private të anglishtes...
Të më falë Pandora që më shpëtoi emri i saj, sepse ajo nuk përmendet në roman, por vetë e hapi arkën e broçkullave. Unë nuk kam si ta harroj konferencën që mbajti, sidomos fjalët e të dashurit të saj, Julianit të Karitasit, që ajo e kishte marrë në panel për të ligjëruar. “Në ditën e parë të jetës së tij, - tha Juliani, - Adami nuk dinte as të qante, as të qeshte. Po kur dielli nisi të perëndonte, ai s’mundi të rrinte më shpërfillës. E ndjeu se ishte diçka e panjohur, por që kishte lidhje me të dhe, ashtu i shtangur, vuri buzën në gaz. Që atëherë, buzëqeshja është agamike për njerëzimin”.
Pastaj kaloi menjëherë te Jari Kaçinari, thua se ky djali i lagjes sonë të kishte buzëqeshur atëherë përkrah Adamit. Kësaj i thonë që çorapin e nënës ta ngatërrosh me leshin e këmbës. Të më falë edhe Juliani, por llomotitjet e tij më detyruan ta përmend.
Çfarë pranoj unë? Po, Jari e shpërndante atë që vetë kishte me tepri, ai ishte mbret i buzëqeshjes. Ndoshta pse u peshua me këtë kandar, fundi i tij bëri bujë. Atë ditë u duk se Balbona kishte humbur diçka të madhe, për shembull katedralen, xhaminë me dy minare apo teatrin e vet.
Edhe kur e transportuan me helikopter në kryeqytet, balbonasit rrinin me veshët ngrehur. Flitej se atje e operuan me urgjencë dhe i hoqën një pjesë të mushkërisë. Pastaj mbërritën gjithfarë lajmesh. Disa thoshin se kishte vdekur dhe një kushëri i tij, që ishte larguar nga Balbona prej shumë kohësh, u doli për zot shpenzimeve të mortit. Të tjerë përhapën fjalë sikur kufoma e tij kishte përfunduar për balsamosje në fakultetin universitar të mjekësisë. Hajde merre vesh të vërtetën. Por e vërteta tjetër është e sigurt: këtu në Balbonë varr nuk ka dhe s’janë pa gjë as lajmet se Jari Kaçinari është i gjallë mes të gjallëve, veçse ia ka mbathur diku jashtë. E ku, në Athinë, në Romë apo në Paris? Kot e ka që fshihet, vetë Jari ka për ta zbuluar Jarin vetvetiu, siç zbulohet ylberi nga shndritja. Dy ylbere një mbi një, ose një gojë si dy ylbere. Një ditë, atje ku ndodhet ai, do të shfaqet buzëqeshja në distancë dhe atëherë... Në mos, ka për të pësuar fatin e të atit, kushedi ku do t’i lërë eshtrat.
Por po flisja për jehonën. Jehona qe e gjerë në fillim dhe vazhdoi për ca kohë, mirëpo pastaj erdhi harresa. Gjithçka përfundoi si uji i shiut në çati, ai uji që shpërndahet nëpër tjegulla, nga tjegulla mblidhet në vrimën e ngushtë të ullukut dhe nga ulluku drejt e në gropë. Ndoshta ndikoi edhe thika e kirurgut. Për ta transmetuar tërë atë energji që bëhej dritë, dhe tërë atë dritë që në fytyrat e njerëzve bëhej buzëqeshje, balbonasit kishin besuar se Jari Kaçinari duhet të kishte ndonjë zemër të çuditshme, fort të madhe në përmasa. Por kur mbaroi operacioni, doli se kishte pasur zemër, të zakonshme, atë që çdo njeri ka në gjoks. Prej tij sot vetëm akrobacia kujtohet, kur lëshohej kryeposhtë në sheshin “Demokracia”, duke ngritur këmbët përpjetë.
Tash, nëse më lejohet, kam vetë një pyetje për ata që na ndjekin. Si do ta prisni ju pohimin e dikujt, që ngulmon se njerëzimi rron me gisht në gojë? Ne e kemi zakon të themi se, kur thithim gishtin e madh të dorës, biem në ëndërr dhe, kur e kaçim, dalim nga ëndrra. O qytetarë të ndershëm, ende keni nevojë për përralla? Nëse po, ngopuni me kopalla. Nëse jo, i flisni pra atij shkrimtarit të falisur që t’ia shtrëngojë vidhat kaploqes, se nuk po vë mend. Dhe mos harroni për zgjedhjen tuaj, ju lutem, ndëshkimin nuk e meriton vetëm ai që mashtron, por edhe ata që mashtrohen.
G.H. Atëherë, përpara se të ndahemi, ju kujtoj se në lajme, do të ndiqni një kronikë të zgjeruar për ngjarjen e papritur të ditës. Siç jeni në dijeni, në rrasën shkëmbore të lagjes së Kodrës, në atë faqen e gurtë që ngjan si ekran dhe që mund të shihet nga çdo cep i qytetit, sot është shfaqur një thirrje në dimensione të mëdha. Tani për tani nuk dihen autorët, por me gjasë është shkruar përgjatë natës duke përdorur spruco të bardhë. Mendohet se në krye të grupit mund të ketë qenë Filip Mazreku, i cili nuk e ndan të majtën nga e djathta dhe të djathtën nga e majta, pasi shpesh krahët i punojnë njëkohësisht. Thirrja përmban sinjalin ndërkombëtar SOS, si dhe tekstin e plotë të kësaj shkurtese, që disa e kanë marrë për ndonjë lutje biblike ose dedikim të shenjtë. Por s’është ashtu, prej shumë kohësh e gjithë bota e njeh këtë tekst në anglisht: Save our souls. Në gjuhën tonë do të mund të përkthehej: Shpëtoni shpirtrat tanë.
Mirupafshim në romanin, më falni, në emisionin e ardhshëm.
Tiranë, 2008
(Pjesë e shkëputur nga romani)