“MJAFT” në konvikti, një minutë heshtje për Suelën
14/01/2005 KORÇE - Organizata joqeveritare “Mjaft”, ka bërë të mundur në mbrëmjen e dy ditëve më parë, organizimin e një takimi me studentë në ambientet e qytetit studenti dhe përpara godinës ku ndodhi edhe krimi i rëndë. Përfaqësues të kësaj organizate së bashku me studentë të Universitetit “Fan Noli”, kanë mbajtur një minutë heshtje në kujtim të studentes së vrarë, Suela Sina, nga qyteti i Prrenjasit, nga shoqja e saj e dhomës Ornela Cepollari. Moto e këtij takimi ka qenë “Jeto dhe ler të tjerët të jetojnë”. Askush nuk ka të drejtë të heqë jetën e tjetrit. Për të gjitha ka mundësi të mëdha kompromisi dhe bisedimi. Çdo njeri ka të drejtë të jetojë jetën e tij, sipas mënyrës që i pëlqen dhe që mundet. Të gjithë studentët e pranishëm, kanë dhënë mendimin e tyre dhe në homazh të studentes së vrarë, e cila për shumë prej tyre ishte edhe një mike e mirë, kanë ndezur edhe nga një qiri si përkujtimore e shoqes së tyre. Ky ka qenë aktiviteti i parë jozyrtar i zhvilluar për sensibilizimin e studentëve. Ndërkohë që organizata joqeveritare “Mjaft” ka qenë gjithmonë shumë aktive në raste të tilla tragjedish, ku viktima kanë qenë të rinj.