E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthimi i Ilva Tares, imazhi i ri i “Ora News”

Periudha e qëndrimit larg nga ekrani shqiptar, tashmë ka marrë fund për ikonën e gazetarisë televizive, Ilva Tare. Pas largimit të gazetarit të mirënjohur, Alfred Peza dhe pas katër vjetësh mungesë, ajo do të rishfaqet në ekranin e televizionit “Ora News” me një program të saj, format që për herë të parë aplikohet në Shqipëri dhe që do të vijë dy herë në javë. E pyetur nga gazeta, Tare nuk ka dashur të komentojë gjatë, por ka treguar se emisioni është duke u përgatitur dhe shumë shpejt do të jetë në transmetim ‘live’ për publikun. Pas përfundimit të studimeve për master në London School of Economics, si dhe bashkëpunimeve me televizione prestigjoze ndërkombëtare, si Al Jazeera English në Londër, Ilva Tare prej janarit 2011 do të jetë imazhi më i ri i televizionit informativ në Shqipëri, Ora News. Dy herë në javë, Ilva Tare do të ideojë dhe moderojë emisionin më të ri të aktualitetit politik dhe ekonomiko-social në vend. Me një skemë krejtësisht të re, të paaplikuar më parë në ekranet shqiptare, Ilva Tare do të vihet në dispozicion të teleshikuesve, siç thotë vetë ajo, përmes një platforme televizive që do të përcjellë zërin dhe shqetësimet e publikut me një komunikim ekskluziv dhe dinamik. Tare vendos t’i bashkohet ekranit të Ora News, pas një bashkëpunimi, që realizoi në mbulimin e zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2009. Për herë të parë në një format të sajin televiziv, Tare do të zhvendoset nga studiot e lajmeve, që ka drejtuar prej mëse 13 vjetësh, në pozicionin e drejtueses së emisionit më të ri të aktualitetit në Ora Neës. Ilva Tare, një gazetare që fillimet e saj i ka pasur në Televizionin Publik Shqiptar në vitin 1995, është e para Drejtore femër e lajmeve në Shqipëri, fillimisht tek Telenorba Shqiptare e mandej tek Vizion Plus. Drejtimi i lajmeve me stilin Tare u kthye shpejt në një trend shumë të pëlqyer dhe komentuar nga publiku i gjerë. Raportimet dhe reportazhet e Ilva Tares nga çdo cep i Shqipërisë, por edhe nga skaje të rrezikshme lufte nëpër botë, si Afganistani e Libani, e kanë kthyer atë në ikonën e gazetarisë televizive shqiptare, gjë që e ka bërë të rezultojë një ndër personazhet me të suksesshme në sondazhet e medias televizive në vend.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›