E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka: Drafti “Biberaj”, edhe i PDK-së



Drafti i paraqitur nga deputeti Aleksandër Biberaj ka marrë dhe miratimin e demokristianëve. Këtë e bëri dje të ditur Nard Ndoka. Hartuesi i njërit prej tre projektligjeve të paraqitura në Kuvend për spiunët apelon se vendi ka nevojë për ndarjen e qartë dhe transparente me të kaluarën e errët të komunizmit. Sipas tij, politika ka detyrimin e saj ta mundësojë këtë përmes një ligji sa më profesional. Ndoka bëri dje të ditur se ka shqyrtuar dy draftet e ardhura nga dy partitë e mëdha. “Ato kanë një mangësi të madhe: janë ligje kundër njërës dhe tjetrës palë. Drafti ynë është më i mirë dhe më i plotë sepse nuk është kundër asnjë pale politike, nuk merret me palët, por me thelbin e problemit, me dosjet dhe nevojën e hapjes së tyre”, - u shpreh Ndoka. Kryetari i PDK-së shtoi më tej se PDK-ja ka bashkëpunuar me z. Aleksandër Biberaj dhe drafti i tij në tërësi reflekton edhe mendimet e tyre. Ka pika që duhen parë, sidomos ngritja e autoritetit që kryen hapjen e dosjeve. “Ne nuk duam që hapja e dosjeve të kthehet në gjueti shtrigash për interesa elektorale, por të jetë një proces serioz, ligjor, transparent dhe të sjellë pastrimin e ndërgjegjes shtetërore e politike, pajtimin kombëtar”, - u shpreh Ndoka në mbledhjen e sotme të Komisionit. “Shqipëria si një vend anëtar i KE-së ka detyrime përpara vendimeve të saj. Por detyrimin më të madh e kemi përpara mijëra ish-të përndjekurve politikë, viktima të diktaturës dhe mekanizmave të saj. Detyrim kemi edhe përpara elektoratit, të cilit i kemi premtuar ndershmëri e moral në qeverisje”, - nënvizoi Ndoka. Ai tha se filozofia e demokristianëve është distancimi nga mëkatet dhe mëkatarët, kushdo qofshin ata. “Ligji ynë e realizon këtë qëllim. Megjithatë, ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me Komisionin dhe Parlamentin që të gjejmë bashkërisht një zgjidhje të pranuar nga të gjithë, por me kusht që të jetë draft që zgjidh, jo që shtyn apo rimbyll historinë e dosjeve”, - theksoi Ndoka. Ai theksoi se veprimtaria e organeve të Sigurimit të Shtetit ka lënë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e të gjithë shqiptarëve si një veprimtari, e cila ka sjellë vrasjen, burgosjen dhe internimin e shumë shqiptarëve vetëm për faktin se ata mendonin ndryshe, vetëm sepse kërkonin që në Shqipëri të vendosej demokracia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›