E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fatura financiare mban peng statusin e minatorëve



Fatura financiare vazhdon të mbajë peng miratimin e statusit të minatorëve. Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese ka dëgjuar gjatë mbledhjes së djeshme përfaqësuesit e Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Ekspertët vunë në dukje nevojën e ligjit, por sipas tyre, nëse do të miratohet një ligj për statusin e minatorit, do të duhet të miratohet ligj dhe për statusin e naftëtarëve, dhe për kategoritë e tjera. Ndërsa ministri i Financave, në një letër drejtuar Komisionit, ka ngritur si pengesë kryesore faturën financiare, e cila është e papërballueshme nga qeveria. Bode ka shkruar se Ministria e Financave është duke e shqyrtuar mundësinë e përfshirjes së statusit të deputetëve në skemën e sigurimeve shoqërore.
Në mbledhjen e djeshme deputetët e maxhorancës u shprehën në parim pro projektligjit për statusin e minatorit. Deputeti Uka propozoi që Komisioni t’i dërgojë një tjetër letër Ministrisë së Financave, në të cilën t’i kërkojë më tepër informacion me planet që ka kjo ministri rreth afateve për miratimin ose jo të statusit të minatorëve. Projektligji i paraqitur në Kuvend nga Lëvizja Socialiste për Integrim parashikon dyfishimin e pagës minimale për minatorët dhe përfitimin e shtesave për vjetërsi pune. Në projekt parashikohet përfitim i pensionit shtesë mbi pensionin bazë, si dhe uljen e moshës për të dalë në pension. Bazuar në projektin e propozuar nga deputetët e LSI-së, statusin e minatorit e përfiton çdo shtetas shqiptar apo i huaj, me banim të përhershëm apo të përkohshëm në Shqipëri, që nga dita që fillon të punojë në minierë nën tokë, ose në profesione të tjera të vështira. Minatorët e humbasin statusin vetëm kur vdesin ose kur dënohen me vendim të formës së prerë nga gjykata. Minatorit i njihet si vjetërsi pune koha e kryerjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, koha e ndërprerjes së punës për shkak të një vendimi të deklaruar si të padrejtë me vendim gjykata, si dhe koha e plotë e vuajtjes së dënimit, internimit për arsye politike. Në bazë të projektligjit, për llogaritjen e vjetërsisë së punës, një vit punë në minierë nën tokë duhet të llogaritet si 2 vite pune. Minatorëve dhe familjarëve të tyre u sigurohen përfitime shtesë mbi ato që përcaktohen në ligjin për sigurimet shoqërore, për paaftësi të përkohshme në punë, parandalim për sëmundje, pagesë kalimtare kur ndërpresin punën për shkaqe që nuk varen prej tyre, pension të parakohshëm për vjetërsi në punë, pension shtesë mbi pensionin e pleqërisë, pension shtesë invaliditeti, pension shtesë për minatorët që për shkak të punës bëhen plotësisht në paaftë, apo për ata që humbasin jetën, pension shtesë familjar, si dhe pension shtesë në rast vdekjeje. Sipas draftit të propozuar nga LSI-ja, paga bazë minimale pa shtesat për minatorët në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël sesa 165% e pagës në profesionet e zakonshme.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›