E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komisioni i Ligjeve, pro dekreteve të Topit për kreun e Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive



Komisioni Parlamentar i Ligjeve i ka cilësuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi dy dekretet e presidentit Topi për postin e kryetarit të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive. Gjatë mbledhjes së djeshme anëtarët e Komisionit kanë dëgjuar raportimin e Adriatik Llalës dhe Bashkim Dedjas. Që të dyja figurat që do të zëvendësojnë ish-kryetaren e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Fatmira Laskajn, vijnë nga sistemi i Drejtësisë. Kështu, Adriatik Llalla së fundi ka mbajtur detyrën e kryetarit të Këshillit të Prokurorisë, ndërsa Bashkim Dedja ka mbajtur detyrën e anëtarit të Komisionit të Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Anëtarët e Komisionit të Ligjeve i kanë konsideruar të dyja kandidaturat në përputhje me ligjet në fuqi, ndaj dhe i kaluan ato për miratim në seancë parlamentare.

“G99”: Qeveria, sërish abuzime me spotet televizive

Lëvizja “G99” rikonfirmon akuzat ndaj qeverisë për shpërdorime financiare me anë të spoteve televizive. Zëdhënësja e G99-s, Olta Xhaçka, duke iu referuar spotit më të fundit të Ministrisë së Kulturës, tha se është e patolerueshme mënyra se si qeveria po shpërdoron lekët e taksapaguesve shqiptarë. “Prokurimi i spotit nga ana e Këshillit të Ministrave dhe e Ministrisë së Kulturës është një shpenzim korruptiv i fondeve publike për qëllime politike dhe nuk kanë asnjë lidhje me interesat e qytetarëve. Këto fonde publike janë prokuruar në mungesë të plotë transparence dhe janë treguesi kryesor i diskreditimit të kauzës së duarve të pastra”, - tha Xhaçka. Sipas G99-s, qeveria po shpenzon fondet publike për propagandë politike, ndërsa KKRT-ja, si vegël e kryeministrit, gjobit televizionet që transmetojnë spotet e G99-s si politike.

PS: Do të votojmë kundër projektligjit për SHKB-në

Partia Socialiste shprehu qëndrimin e saj kundërshtues ndaj projektligjit të propozuar nga maxhoranca “Për Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm”. Kryetari i Komisionit të Ligjeve në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se Partia Socialiste do të votojë kundër këtij projektligji, pasi është shprehje e qartë e tendencës së qeverisë për të kontrolluar Policinë, SHISH-in dhe Prokurorinë. “Me këtë projektligj qeveria synon të ndërtojë një super-ministri të Brendshme, e cila ka në dorë Policinë e Shtetit, Policinë Gjyqësore, madje edhe Prokurorinë dhe SHISH-in. PS-ja nuk mund ta pranojë këtë projektligj që cenon pavarësinë e organeve të hetimit dhe profesionalizmin e Policisë së Shtetit. Ne nuk mund të miratojmë një projektligj të tillë, që krijon mundësi për ndërhyrje joligjore e jodemokratike të qeverisë në jetën private të qytetarëve e as në kompetencat e institucioneve të pavarura të shtetit”, - tha Manjani.

Meta takohet me shefin e misionit të FMN-së

Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje në selinë e LSI-së një takim me shefin e misionin të FMN-së, Gervin Bell dhe An Margaret Uestin, përfaqësuese e përhershme e FMN-së në Tiranë. Çështja e diskutuar në takimin mes tyre u përqendrua kryesisht në zhvillimet makroekonomike dhe në mënyrë të veçantë në problematikën e buxhetit të vitit 2008 dhe në projektbuxhetin e vitit 2009. Kreu i LSI-së, Meta, shprehu shqetësimin lidhur me risqet që po kërcënojnë stabilitetin makroekonomik në vend dhe mungesën e reformave për të siguruar një rritje ekonomike të qëndrueshme. Në këtë kontekst Meta theksoi se buxhetet e qeverisë së djathtë vuajnë nga politikat populiste, duke rrezikuar në mënyrë të vazhdueshme situatën ekonomike në vend. “Buxheti 2009 është një buxhet elektoral, pasi nuk i jepet përgjigje një sërë emergjencash që ka ekonomia shqiptare”, - tha Meta.

23 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›