Ish-ushtarakët, rastet kur mund të marrin pension suplementar
Laureta Rryçi
Tiranë - Sipas Statusit të Ushtarakut, jo të gjithë ish-ushtarakët mund të kenë përfitime suplementare. Gazeta “Albania”, në numrin e sotëm, i bën publike këto raste dhe kushtet që duhet të plotësojnë gjithsecili për të pasur një pension më të lartë. Sipas ligjit, ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe familjeve të tyre u sigurohen përfitime suplementare në rastet kur bëhet fjalë për paaftësi të përkohshme në punë e shërbim, parandalim për sëmundje, pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë, pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, pension suplementar mbi pensionin e plotë të pleqërisë, pension suplementar invaliditeti, pension suplementar invaliditeti për ushtarakët, që për shkak të detyrës bëhen plotësisht të paaftë, pension suplementar familjar, pension suplementar familjar për ushtarakët që për shkak të detyrës humbasin jetën dhe mund të përfitojnë pagesë suplementare në rast vdekjeje.
Kushtet për përfitim
E drejta e përfitimeve suplementare për ushtarakun, sipas këtij ligji, varet nga vitet e shërbimit në Forcat e Armatosura dhe nga mosha dhe paga referuese me shtesat që ka përfituar. Kushtet e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm, për kohën që, për arsye shëndetësore, bëhet i paaftë për punë, merr përfitime suplementare.
Paga referuese
Paga referuese, për efekt të përfitimeve nga ky ligj, përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, së bashku me shtesat që përfiton ushtaraku i së njëjtës gradë në çastin e lindjes të së drejtës së përfitimit. Për ushtarakun që ka dalë në rezervë ose në lirim, para apo pas datës së shtrirjes së efekteve financiare të këtij ligji dhe e drejta për të përfituar i lind pas kësaj date, paga referuese për efekt të përfitimeve nga ky ligj përbëhet nga paga bazë, së bashku me shtesat që ka ushtaraku aktiv në po atë funksion ose gradë, në çastin që i lind e drejta për të përfituar. Për studentët e shkollave të larta ushtarake, paga referuese për efekt përfitimi është paga e gradës më të ulët të oficerit, ndërsa për kursantët për nënoficerë paga referuese është paga më e ulët e gradës së nënoficerit. Kur funksioni ose grada që kishte përfituesi nuk është më, ministri i Mbrojtjes, me urdhër, bën njësimin e tyre me ato funksione apo grada që janë në fuqi në çastin e lindjes së të drejtës për përfitim.
Për paaftësi të përkohshme në punë
Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet mbi pagën mesatare ditore neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit: 20 për qind nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim; 10 për qind për periudhën e shtrimit në spital, kur ka persona në ngarkim. Kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë, ushtaraku përfiton pagën e plotë neto të muajit të fundit kalendarik të shërbimit.
Parandalimi për sëmundje
Ushtaraku, në varësi të situatave operacionale, sipas përcaktimit të bërë nga komisioni mjekësor ushtarak, pranë Spitalit Universitar Qendror Ushtarak, gëzon të drejtën e parandalimit për sëmundje. Ministri i Mbrojtjes, me udhëzim përcakton rastet, procedurat dhe kriteret përkatëse për zbatimin e këtij neni.
Pagesa kalimtare
Ushtaraku që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nxirret në rezervë apo lirim dhe ka mbi pesë vjet shërbim në Forcat e Armatosura, merr shpërblim në masën e dy pagave bazë për gradë, sipas viteve të shërbimit, si shpërblim të menjëhershëm dhe pas këtij shpërblimi merr pagesë kalimtare në masën 50 për qind të pagesës që ka përfituar në çastin e daljes në rezervë apo lirim, për dy vjet. Në rast punësimi gjatë kësaj periudhe, masa e pagesës kalimtare është deri në kompensimin e pagës, mbi të cilën është llogaritur kjo pagesë. Periudha e trajtimit me pagesë kalimtare, për efekt të zbatimit të Ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, njihet si periudhë sigurimi. Kontributi për këto kategori përballohet nga Buxheti i Shtetit dhe derdhet mbi bazën e pagës referuese, mbi të cilën është llogaritur pagesa kalimtare, por, në çdo rast, brenda kufijve të pagës minimale dhe maksimale, të indeksuar me koeficientet e indeksit të pensioneve.
Fitimi i statusit të ushtarakut
Ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm
Ushtarakët e shërbimit aktiv të përkohshëm
Ushtarakët e shërbimit aktiv të detyrueshëm, të thirrurit në stërvitje ushtarake, për kohën e stërvitjes
Ushtarakët në rezervë, në lirim ose në pension, sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj dhe në akte të tjera ligjore e nënligjore
Humbja e statusit të ushtarakut
Kur dënohet me burgim nga gjykata me vendim të formës së prerë për krime të kryera me dashje
Kur përfundon stërvitjen ushtarake ose shërbimin ushtarak aktiv të detyrueshëm
Kur përfundon kontratën, pa shkaqe ligjore; vdes
Vjetërsia në punë dhe në shërbim
Njihet si vjetërsi në punë e ushtarakut të Forcave të Armatosura, për efekt pensioni, periudha nga data e hyrjes në shërbim të Forcave të Armatosura, si ushtar me pagesë/profesionist, kursant (nënoficer) dhe student në shkollat e larta ushtarake, brenda dhe jashtë vendit. Kontributet për sigurimet shoqërore, për këtë periudhë, përballohen nga Buxheti i Shtetit.
Vjetërsia e shërbimit si ushtarak aktiv, për efekt të pagës dhe përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, llogaritet nga data e titullimit oficer, nënoficer, ushtar me pagesë/profesionist në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Koha e kryerjes së studimeve, pas përfundimit të shkollës së lartë ushtarake, brenda dhe jashtë vendit, llogaritet si vjetërsi në punë dhe vjetërsi shërbimi si ushtarak aktiv dhe si kohë qëndrimi në gradë.
23 Shtator 2008