E Diel, 1 Nëntor 2026

Faturat e energjisë, te përndjekurit politikë peticion Kryeministrit

Gjirokastër-Megjithëse prej dy vitesh zyrat e Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në rrethin e Gjirokastrës nuk furnizohen me energji elektrike, sërish kjo shoqatë tarifohet rregullisht nga kompania ÇEZ, madje me fatura me vlerë financiare të lartë. Sipas sekretarit të Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë në Gjirokastër, Pëllumb Ago, prej dy vitesh në zyrat e kësaj shoqate, që ndodhen në pjesën muzeale të qytetit, nuk ka drita. “Megjithëse ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme pranë kompanisë ÇEZ në Gjirokastër për rinisjen e furnizimit me energji elektrike, sërish nga kjo e fundit nuk ka asnjë reagim”, thotë sekretari Ago. Por shqetësim për Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë vazhdon të ngelet fakti se megjithëse nuk kanë drita, sërish gjatë këtyre dy viteve ata janë tarifuar rregullisht nga kompania, madje me fatura me kosto të lartë financiare. “Megjithëse ne për këtë gjë jemi ankuar disa herë pranë zyrave të kompanisë në Gjirokastër, sërish faturat vazhdojnë të vijnë rregullisht, madje me çmime të kripura për energjinë që ne nuk e kemi shpenzuar”, thonë përfaqësues të Shoqatës së ish-të Përndjekurve Politikë në Gjirokastër. Ditët e fundit anëtarët e kësaj shoqate i kanë dërguar edhe një peticion kryeministrit Sali Berisha, duke kërkuar ndërhyrjen e tij për daljen nga kjo situatë. B.SH

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›