E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat e ujit 80% e konsumit paguhet dy herë, një herë jashtë sahatit

Autori i Lajmit: Denisa Kona

Faturat e UKT tregojnë konsumin e ujit të pijshëm, duke bërë diferencën mes leximit aktual dhe leximit të mëparshëm të kontatorit. Por kjo sasi uji e harxhuar, nuk është e vetmja që qytetari paguan. Kjo sasi i korrespondon në kontratë vetëm konsumit të ujit të pijshëm. Ndërsa një rresht më poshtë, bëhet fjalë për një sasi tjetër metrash kub, që ju nuk i gjeni dot në sahat, sepse nuk është në fakt aty si vlerë. Ky konsum që i vendoset përbri kategorisë “ujë i përdorur” është llogaritur si 80% e sasisë së përgjithshme të ujit që ju vjen në sahat, pra një 80%-sh që i shtohet 100%-shit. Këtë fakt askush nga qytetarët që ne intervistuam, nuk e kishte kuptuar. Për të sqaruar këtë mënyrë faturimi, ne u interesuam në Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellësit, si institucioni që përpilon kontratat. Drejtori Edmond Hali, bashkë me një specialistin e tij, pati mirësinë të na japë shpjegimet e mëposhtme.

-Ballkan: Qytetarët nuk e kuptojnë faturën e ujit që tregon dy palë çmime, dy palë tarifa- për ujë ë pijshëm dhe ujë të përdorshëm. Çfarë ka pasur parasysh kontrata me këta dy zëra të veçantë për ujin?
Sasia e ujit që lexon sahati është ujë i pijshëm, i cili, pas përdorimit të tij, një pjesë përdoret për pirje, për gatim, për shërbime jetësore dhe 80%, konkretisht në rastin e Tiranës, është e llogaritur që shkarkohet në tubacionet e rrjetit të ujërave të zeza (ose të përdorura) të Tiranës. Dhe kjo është arsyeja, përse fatura është e ndarë në dy pjesë. Uji i pijshëm është uji që ju konsumoni dhe ujë i përdorshëm, ai që derdhni.
-Supozojmë se një familje ka harxhuar 30 mijë litra në muaj. Këto 30 mijë litra i faturohen qytetarit të gjitha me çmimin e ujit të pijshëm apo një pjesë me çmimin e ujit të pijshëm dhe një pjesë me çmimin e ujit të përdorur (atë që ai derdh)?
E mira do të ishte të kishim një faturë që ta konkretizonim. Në mënyrë analitike dua tu tregoj se si funksionon fatura. Logjika është e tillë, paguan edhe për ujin e pijshëm që të vjen, paguan edhe për rrjetin dhe sasinë e ujit që shkarkon në rrjet deri në derdhje.
-Ne kemi dy tarifa uji, ku tarifa e ujit të pijshëm është tri herë më e lartë se e ujit të përdorur (33 MC i pari dhe 10 MC i dyti). Qytetarit i aplikohen në të njëjtën faturë, të dyja këto tarifa. Ai kërkon të dijë nëse harxhimin që i tregon kontaktori, e ka për ujin e pijshëm, për ujin e përdorshëm apo për të dyja së bashku?
Në 30 mijë litra që supozuam se harxhon në muaj një familje, 24 mijë litra derdhen në rrjet. Për këto ai paguan një çmim tjetër.
-Pra, ju thoni që për këto 30 mijë litra që harxhon qytetari në muaj, nuk i paguan 30 mijë litra si ujë të pijshëm? Paguan vetëm 20% të tij si të pijshëm dhe 80% si të përdorshëm?
Jo, jo. Këto 30 mijë litra ai i paguan të tëra si ujë të pijshëm, sepse ai është ujë i pijshëm. Është shërbimi që të jepet i plotë. Këto 30 mijë litra ju i fusni në apartamentin tuaj.
-Atëherë i bie që këto 30 mijë litra i paguajmë dy herë: Një herë i paguajmë totalisht me çmimin e ujit të pijshëm (sasinë e ujit që na vjen dhe që e konsumojmë në të tëra format), dhe një pjesë të kësaj, 80% e paguakemi përsëdyti si ujë të përdorshëm; Pra, e paguajmë këtë sasi, edhe kur na vjen, edhe kur na ikën në tubacion. Një herë e paguakemi nga sahati dhe një herë, jashtë sahatit aforfe 80%. Kështu?
Ka vende që paguajnë edhe nga tri lloje tarifash, kur janë ujërat e bardha të ndara nga ujërat e zeza. Tani po ju sjell një specialist që e tregon më mirë
Shpjegimimi Specialistit të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellësit
Ndërmarrja e Ujësjellësit të Tiranës e ka caktuar tarifën 100% për ujin e pijshëm dhe 80% për ujërat e zeza. Mendohet që 80% e ujit të pijshëm, kalon drejtpërdrejt në kanalizime. Këto quhen ujëra të përdorura faktikisht. Ka qenë një komision, që e ka caktuar këtë raport me 80% të sasisë së ujit të pijshëm që vjen në rubinet).
-Kjo sasi 20% që mbetet si sasi uji për tu pirë, pasi zbritet pjesa e përdorur për nevoja të tjera, del e lartë për nevojat për ujë që ka popullata, rreth 2-3 litra ujë në ditë për frymë
Kjo është bërë në favor të konsumatorit. Sepse ne i themi ujë i pijshëm, por ai përdoret për të gjitha, edhe për të gatuar, edhe për të ujitur lulet. Është vendosur nga vitit 93-94 me një komision, që sasia e ujit të përdorur të zinte 80% të të gjithë ujit të konsumuar. Ky studim është ende në fuqi. Pra, si të thuash, është caktuar aforfe. Ndërsa pjesa tjetër e ujit ështe e matur saktë me sahat. Sasia 80% është në varësi të sasisë totale të ujit që ka harxhuar qytetari.
-Z.Hali, nuk shihni asnjë lloj problematike në mënyrën se si është përpiluar kontrata, në kuptimin për të qenë midis qytetarit dhe institucionit transparent?
Fatura me sa di unë, është transparente, nëse bëhet sipas modeleve që bëjmë ne.
-Ne shohim vetëm sahatin, ujin që konsumojmë, nuk shohim sasi tjetër konsumi të cilën duhet ta paguajmë me një vlerë të dytë.
Dakord, por ku e derdhni ju ujin që ju futet në sahat? A mund të më thoni?
-Unë e çoj në kanalizime, por ku e masni ju këtë sasi që derdhet? Dhe pastaj, a nuk e keni matur njëherë në sahat?...
120 litra në ditë për 4 persona janë shumë për tu pirë (sikurse është caktuar aforfe). Por kjo sasi është në favor të konsumatorit. Teorikisht, mund të jetë edhe 10. Megjithatë, grupi që ka bërë studimin e ka parë që duke vendosur më shumë sasi uji të konsumuar për të pirë, vlera e dytë për ujë të përdorur të binte më e vogël.
-Pse nuk faturohet vetëm një herë kjo sasi uji që shkon në tubacionet e ujërave të zeza: Të faturohet si ujë i përdorur 80% e sasisë totale të ujit që tregon sahati, ndërsa si ujë i pijshëm ti faturohet qytetarit vetëm kjo 20% e sasisë së totalit, dhe jo 100%. Sepse qytetari paguan kështu 180% ujë
Dua tu përsëris, që vlera e caktuar 20% për konsum për pirje është vënë që të goditet sa më pak konsumatori, në mënyrë që t bjerë të paguaj sa më pak si ujë të përdorur. Sepse 100%-shin ai e paguan edhe e paguan, ju thashë, uji që vjen në çezmë vjen i pijshëm i tëri.
-Kjo sasi 80% është për ujë të përdorshëm apo jo, sepse na del një herë i paguar si i pijshëm dhe një herë si i përdorshëm?
Jo të përdorshëm, por të përdorur, sepse ai në fakt është i tëri ujë i pijshëm. Kontrata thotë ujë i përdorur, nuk mund të thotë ujë i përdorshëm.
-Po ndërkaq, kontrata një rresht më lart nuk thotë ujë i pirë, por thotë ujë i pijshëm...Nëse thua ujë i pijshëm, duhet ta vazhdosh klasifikimin me Ujë i përdorshëm dhe nëse thua “ujë i përdorur”, atëherë cilësimi duhet të vazhdojë me ujë i pirë”
Ja ku e kapët një element, që nga ana gjuhësore, mund të jetë një lapsus.

Qytetari paguan 180% ujë në faturë

Qytetari paguan 180% ujë në faturën e tij. Ai e paguan ujin edhe për konsumin, edhe për derdhjen e tij. Vlera për derdhjen e ujit e paraqitur si konsum në faturë, në fakt duhet përkthyer si kosto për rrjetin e kanalizimeve të ujërave të zeza. Por nëse, rrjeti që e sjell ujin e ka koston të përfshirë brenda çmimit të ujit, (ai nuk përmendet as në intervistë si kosto jashtë cmimit), kur vjen fjala për derdhjen e ujit, këtu shohim që rifaturimi i sasisë së ujit të përdorur, tashmë për derdhje, argumentohet nga zyrtarët e Ujësjellësit si kosto e rrjetit që e përcjell këtë sasi deri në det. Pyetja enigmatike që mbetet për përgjigje nga ndërmarrja e Ujësjellësit Tiranë dhe Enti Rregullator i Ujit është kjo: Kur janë caktuar tarifat e ujit, janë përllogaritur vetëm kostot e rrjetit furnizues të ujërave të bardha apo rrjeti i ujërave të bardha e të zeza së bashku, duke marrë parasysh furnizimin dhe shkarkimin?

Kleçkat e gjuhës së një kontrate
Çfarë absurditetesh fshihen pas “pakujdesive” gjuhësore

(Për çudi, në kontratën e UKT nuk thuhet ujë i pirë por ujë i pijshëm!...sepse po të ndryshosh këtë cilësim, duhet të pranosh se ka një alogjizëm; Si mund të ketë pirë një familje 20 apo 30 mijë litra ujë në muaj, sa thotë sahati?! Ndërkohë që po kjo kontratë përmban cilësimin ujë i përdorur, në vend të “ujë i përdorshëm”, një dallim esencial në këto dy emërtime, pasi i pari tregon konsumin, ndërsa i dyti, cilësinë e ujit. Dhe Ujësjellësi ka zgjedhur këtu “ujë i përdorur”, duke pretenduar matje të një sasie që nuk e mat dot, (e vendos aforfe 80% jashtë sahatit), sesa të pranojë që ky është është i përdorshëm (që do të thoshte jo i pijshëm), pasi kjo gjë do ti kushtonte atij një kundërshti, që do ti rëzonte krejt faturën: Dhe atëherë do të kishim shkak të pyesnin: Ky ujë është i përdorshëm apo i pijshëm atëherë? Nëse është i përdorshëm, përse faturohet dy herë: Një herë si i pijshëm dhe një herë si i përdorshëm?

Çuditje qytetare
“Po si është puna; ujë i pijshëm, ujë i përdorshëm, se ne të njëjtin ujë marrim nga çezma? Faturën e japin për ujë të pijshëm dhe ujë të përdorur, kurse sahati tregon një numër të vetëm. Asnjëherë nuk e kam kuptuar, ju lutem ma shpjegoni! Nuk kuptoj dot këtë që më thotë fatura 50m3 ujë i pijshëm dhe 40m3 i përdorshëm. Nuk e marr vesh, kjo 40-shja është brenda 50-shes apo është 90 m3 gjithsej? Pyetja tjetër për Ujësjellësin është: Kur na vjen në çezmë ujë i pijshëm dhe kur i papijshëm?...”

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›