E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata liron 13 protestuesit e arrestuar të PS

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit “detyrim paraqitje” një herë në javë në prokurori për 13 persona të arrestuar deri tani nga policia gjatë protestave të Partisë Socialiste. Një trupe gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Altin Abdiu ka vendosur masën e sigurisë për të ndaluarit nga policia me akuzën e bllokimit të qarkullimit rrugor. Disa prej tyre mësohet se janë akuzuar edhe për kryerjen e veprës penale kundërshtim i punonjësit të policisë si dhe prishje të rendit dhe qetësisë publike. Të ndaluarit u mbajtën në paraburgim prej tri ditësh pasi u ndaluan nga policia në disa akse rrugore të cilat u bllokuan nga protestuesit e Partisë Socialiste.

Pogradec, gjykata liron 4 protestuesit e PS

Gjykata e Pogradecit ka vendosur sot lirimin nga paraburgimi të katër personave të arrestuar nga policia pas protestave të Partisë Socialiste që tentuan bllokimin e rrugës Korçë-Pogradec tri ditë më parë. Vendimi është shpallur pak minuta më parë nga Gjykata e Pogradecit e cila zhvilloi seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të ndaluar nga policia e Korçës.
Seladin Mekallari, N.Tanellari, Agim Turku dhe Detar Lipo kanë lënë qelitë e paraburgimit pas vendimit të sotëm të gjykatës. Sipas trupit gjykues vepra penale për të cilën ishin arrestuar katër personat nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërkohë që çështja penale ndaj tyre vazhdon.

Korçë
Policia arreston 4 militantë të PS

Katër persona janë arrestuar nga policia e Korçës me akuzën se kanë bllokuarr rrugën Korçë-Pogradec ditën e djeshme gjatë protestës së mbështetësve të Partisë Socialiste në të cilën pati disa konfrontime mes qytetarëve dhe policisë. Sipas një deklarate të policisë së Korçës, mësohet se shtetasit Detar Lipo, K.Tanellari, Agim Turuku dhe Seladin Mekollari janë arrestuar me akuzën e “mosbindjes ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit”. Drejtoria e POlicisë së shtetit prej dy ditësh në deklarata të ndryshme ka paralajmëruar protestuesit e Partisë Socialiste të mos bllokojnë rrugët duke pohuar se një veprim i tillë përbën vepër penale dhe dënohet nga gjobë deri në dënim me burg. Po dje, gjashtë protestues të Partisë Socialiste në Tepelenë janë ndaluar në polici ndërsa e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Durrës.

Ky lajm është publikuar: 15/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›