E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova merr ftesën zyrtare për Samitin e Sarajevës

PRISHTINë- Kosova ka marrë sot ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin rajonal të Sarajevës që do të mbahet në 2 qershor. Këtë e ka konfirmuar vetë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili tha se Kosova do të prezantohet në mënyrë të barabaratë me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse në takim dhe do të ketë të drejtën e saj të barabartë për të shprehur mendimin për zhvillimet rajonale dhe integrimet evropiane.

Sipas tij, jo vetëm në Sarajevë por edhe në takimet e tjera rajonale, askush tjetër, përveç përfaqësuesit të institucioneve të vendit nuk mund të përfaqësojë Kosovën. “Kosova është e interesuar që të marrë pjesë në këtë konferencë, të japë kontributin e saj për temat që janë me rëndësi për bashkëpunimet rajonale por edhe ato në nivelin e integrimeve evropiane.”- ka thënë Kuçi.

Ndërkohë, zyrtarë të misionit të OKB-së në Kosovë, thonë se presin që edhe shefi i UNMIK-ut Lamberto Zannier, të marrë ftesën zyrtare për të marrë pjesë në takimin e Sarajevës. Takimi i përfaqësuesve të vendeve të rajonit do të shënojë për të parën herë që delegacionet nga Prishtina dhe Beogradi do të ulen së bashku në një tryezë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›