E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturimi i energjisë, OSSH pret ankesat e qytetarëve

16/04/2009  Mbi 8 mijë ankesa

Operatori i Sistemit të Shpërndarjes mirëpret të gjitha ankesat e qytetarëve në lidhje me mbifaturimin e energjisë elektrike, apo problemet që mund të kenë me matësin apo kontratën. I gjendur në një periudhë tranzitore mes kalimit nga varësia e shtetit në atë të kompanisë privatizuese, ky institucion është duke u përpjekur që të zgjidhë çdo kërkesë të qytetarëve, për të rritur besimin e tyre. Deri më tani, janë mbi 8 mijë ankesa që presin zgjidhje nga specialistët e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Ata shprehen se zgjidhja e problemeve mund të bëhet vetëm në mënyrë institucionale. “Doja t’u bëja një thirrje gjithë abonentëve dhe konsumatorëve të OSSH, se pranë çdo drejtorie, pranë çdo grupi operativ ekzistojnë strukturat e trajtimit të ankesave. Në të gjitha këto njësi apo grupe operative ka një personel, i cili ndjek, trajton dhe u jep zgjidhje e përgjigje këtyre ankesave. Të drejtohen në këto zyra dhe si procedurë, pavarësisht se në momentin e parë do të duket paksa si burokratike, përderisa kompania është një institucion edhe ankesa e tyre, duhet të ketë formë institucionale”,- deklaroi Ilirjan Shkëmbi, drejtor i Divizionit të Shitjeve pranë OSSH. Sidomos në muajt e para të vitit mbifaturimi është një problematikë në rritje, por që sipas specialistëve të OSSH-së zë vetëm 20 për qind të problemeve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›