USAID prezanton manualin për huamarrjen e qeverisjes vendore
Qeverisja vendore do të ketë në dispozicion një manual të posaçëm, që do e përdorë si udhërrëfyes për huamarrjen. Manuali për huamarrjen i mundësuar nga USAID-i është prezantuar dje në një konferencë të përbashkët për shtyp nga zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu dhe drejtoresha e Misionit të USAID-it, znj. Roberta Mahoney. Shehu vlerësoi këtë manual, i cili do të shërbejë për zhvillimin ekonomik të vendit. “Nëpërmjet këtij manuali USAID-i jep një kontribut të çmuar në rritjen e kapaciteteve në njësitë vendore për huamarrjen”, - tha Shehu. Udhëzuesi u mbështet nga Ministria e Financave dhe do t’u ofrohet të gjitha njësive të qeverisjes vendore në Shqipëri. Publikimi është një udhëzues praktik, që do të ndihmojë administratorët vendorë, për të përfituar në mënyrë të suksesshme fondet e nevojshme për të zbatuar projekte prioritare, të cilat janë identifikuar më parë nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës. Çështjet kryesore, të cilat trajton manuali janë: procedurat për huanë afatshkurtër dhe huanë afatgjatë; llogaritja e kufijve ligjorë të huamarrjes së njësive të qeverisjes vendore; përgatitja e studimit të fizibilitetit të projektit dhe përzgjedhja e projektit prioritat për t’u realizuar; vlerësimi i ofertave të marra nga bankat; regjistrimi dhe raportimi periodik i huasë; roli dhe përfshirja e këshillit të njësisë së qeverisjes vendore dhe komunitetit. Në mënyrë që të lehtësojë punën e specialistëve të financave vendore, manuali është i shoqëruar me një CD, ku përfshihen anekset e gjithë legjislacionit të nevojshëm për huamarrjen e qeverisjes vendore dhe fletë pune në “Excel” për llogaritjen e kufijve ligjorë të huamarrjes. Botimi u përgatit përmes Programit të USAID-it për qeverisjen vendore në Shqipëri.
Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, duke u ndalur te projekti i rrugëve rurale, tha se “bashkitë dhe komunat janë kontribuuese dhe zbatuese të gjithë këtyre investimeve, por nëpërmjet këtij manuali, që po prezantohet, ka një mundësi më shumë, që do të jetë huamarrja nga sistemi bankar i brendshëm, por edhe ai i jashtëm”.
Zv.ministri Shehu tha se “këto iniciativa s’mund të jenë të njëanshme, prandaj duhet një bashkëpunim i vazhdueshëm dhe dialog midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore, në mënyrë që të dyja të gjejnë zgjidhjet më të mira për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe social në çdo skaj të Shqipërisë”. Ndërsa drejtoresha e Misionit të USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoney, tha se “ky botim u mundëson administratorëve vendorë të zbatojnë procedura të suksesshme huamarrjeje dhe efiçencë në përdorim të parasë publike”. "Njësitë e qeverisjes vendore, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë borxh në mënyrë efektive, do të jenë të afta të përgatisin projekte të financueshme nga bankat, që promovojnë rritjen ekonomike vendore”, - tha Mahoney. Manuali që u prezantua dje është një udhëzues praktik, që do të ndihmojë administratorët vendorë për të përftuar në mënyrë të suksesshme fondet e nevojshme, për të zbatuar projekte prioritare, të cilat janë identifikuar më parë nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës. Bashkitë partnere të LGPA-së janë: Fieri, Fushë-Kruja, Gramshi, Himara, Korça, Kukësi, Lezha, Librazhdi, Pogradeci dhe Shkodra.