OSSH fton konsumatorët të denoncojnë faturimin e padrejtë
Faturimi i energjisë elektrike në mënyrë korrekte ose jo, për qytetarët po merr vëmendje kryesore nga drejtuesit e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes, të cilët synojnë të vendosin besimin mes kompanisë dhe konsumatorit. Sipas shifrave zyrtare në tre muajt e parë të vitit, në të gjithë vendin janë 8.975 ankesa që lidhen me faturën, me matësin apo lidhjen e kontratës. Por pjesa që prek direkt buxhetin e qytetarëve, mbifaturimi, faturimi aforfe dhe leximi i pasaktë zë vetëm 12.4 për qind të të gjithë ankesave në të gjithë vendin. Pavarësisht shifrës jo të lartë, drejtuesit e OSSH-së duken të angazhuar për t’i dhënë zgjidhje çdo ankese. Drejtuesit e OSSH-së janë të vetëdijshëm për rastet e ankesave dhe për këtë arsye, drejtori i shitjeve, Ilirjan Shkëmbi, u ka bërë dje thirrje konsumatorëve të punojnë së bashku për zgjidhjen e problemeve. Sipas zotit Shkëmbi, për shkak të mirëmenaxhimit të kompanisë, krahasuar me një vit më parë, furnizimi i konsumatorëve me energji është përmirësuar, ç’ka ka sjellë edhe rritjen me 5 për qind të konsumit. “Do të doja t’u bëja një thirrje të gjithë qytetarëve, të gjithë abonentëve dhe të gjithë konsumatorëve të OSSH-së, t’i bëja me dije, se pranë çdo njësie, pranë çdo drejtorie, pranë çdo grupi operativ ekzistojnë strukturat e trajtimit të ankesave. Në të gjitha këto njësi apo grupe operative, ka një personel i cili ndjek, trajton dhe u jep zgjidhje e përgjigje këtyre ankesave. Edhe njëherë i drejtohem të gjithë konsumatorëve, të drejtohen në këto zyra dhe si procedurë, pavarësisht se në momentin e parë do të duket paksa si burokratike, përderisa kompania është një institucion, edhe ankesa e tyre duhet të ketë formë institucionale”, - ka deklaruar dje Shkëmbi. Sipas shifrave zyrtare, një problem që duket se nuk po merr zgjidhje nga ana e OSSH-së është mosmarrja e faturës së energjisë elektrike nga qytetaret, çështje që zë 61 për qind të të gjitha ankesave të konsumatorëve. Por sipas burimeve zyrtare, kjo çështje do të mbetet në këtë gjendje për sa koha posta shqiptare, që shpërndan faturat, të mos përmirësojë cilësinë e shërbimit të saj.