Si u dënua në Greqi Cenaj
Pas falimentimit të firmave piramidale në Shqipëri, Lefter Cenaj, kreu i kompanisë “Cenaj”, kishte nisur të transferonte kapitalet në Greqi. Por edhe këtu ai nuk u është përmbajtur ligjeve të vendit fqinj dhe kjo i ka kushtuar jo pak, por 5 vjet e gjashtë muaj burg. Sipas burimeve zyrtare nga Ministria shqiptare e Drejtësisë, ish-bosi i firmës “Cenaj” është dënuar në vendin fqinj për akuzat e mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Në periudhën kur firmat rentiere kishin kulmin e lulëzimit të tyre, por fundi po u afrohej me shpejtësi të madhe, Lefter Cenaj kishte nisur të transferonte shuma të mëdha kapitalesh në Greqi. Për të mbuluar sa më mirë gjurmët e këtyre transfertave, ai kishte deklaruar krijimin e shoqërive me kapital të përbashkët me disa shtetas grekë. Në emrat e këtyre kompanive, ai kishte kaluar shuma të mëdha parash, por duke falsifikuar dokumentacionet e nevojshme për vërtetimin e burimit të tyre, mënyrën e qarkullimit dhe një sërë të dhënash të tjera që kërkoheshin nga legjislacioni i vendit përkatës. Me rënien e kompanive piramidale në Shqipëri dhe rrjedhimisht falimentimin edhe të shoqërisë “Cenaj”, autoritetet greke kanë nisur hetimet për bosin e kësaj firme, Lefter Cenaj. Nga këto hetime është zbuluar se personat që ai i kishte deklaruar si bashkëpronarë në shoqëritë greke ishin fiktivë dhe nuk kishin asnjë lloj kapitali.
#