E Diel, 1 Nëntor 2026

Athinë, bombë shqiptarit kur ecte me makinë

Policia shoqëron disa të dyshuar. Emigranti, konflikte të vogla. Mund të jetë ngatërruar objektivi

Një bombë shpërtheu në Athinën qendrore dje në orët e para të ditës, ndërsa policia konfirmoi se lënda eksplozive ishte vendosur në makinën e një shtetasi shqiptar. Policia ka thënë se ngjarja shkaktoi dëme materiale, por pa viktima në njerëz. Një burim i policisë tha se shpërthimi ka ndodhur në një zonë shitoresh në kryeqytetin grek. Bomba mësohet se ishte vendosur në rrugë dhe shpërtheu pasi një makinë kaloi mbi të. Automjeti, sipas policisë, i përkiste një emigranti shqiptar, banues në zonën pranë vendit ku ndodhi shpërthimi. Policia tha se ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe fillimisht konfirmoi se pavarësisht dëmtimeve të makinës, drejtuesi i saj, shtetas shqiptar, nuk kishte pësuar plagë të rënda me pasoja për shëndetin. “Eksplozivi ka dëmtuar shasinë e makinës dhe ka thyer xhamat e dritareve, por shoferi i saj ka shpëtuar”, deklaroi seksioni antieksploziv i policisë së Athinës. Pas raportimeve të para, policia dyshoi se ngjarja ishte vepër e grupeve ekstremiste, ndërsa tani po hetohet për një sulm apo një hakmarrje të mundshme ndaj emigrantit shqiptar, që ndodhej në makinën e shpërthimit. Ai është marrë në pyetje nga oficerët e policisë së Athinës, në lidhje me gjithë dyshimet e mundshme për këtë akt të rëndë. Shqiptari ka treguar se ka pasur konflikte të vogla, por jo që të degjenerojnë deri në këtë fazë. Për këtë arsye, policia greke ka shoqëruar disa persona, por pa bërë publike detaje mbi ta. Gjithashtu, po hetohet nëse eksplozivi nuk kishte lidhje me shqiptarin, por që ka qenë një rastësi. Policia shpjegoi se eksplozivi ka shpërthyer me telekomandë dhe mendohet se autori nuk ka qenë larg vendit të ngjarjes, kur ka dhënë komandën. Shqiptari ruhet në spital nga forca të shumta policie.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›