"Fausti" i Gjeçit vjen pas 40 vjetësh
Dyzet vjet pas shqipërimit nga Pash Gjeçi, "Fausti" i Gëtes vjen si një botim më vete. Sot në mbrëmje, ora 18:00, shtëpia botuese "Çabej" bën promovimin e librit. Prej gati 10 vjetësh, ky libër priste të botohej. U përgatit njëherë, por duke qenë se kishte nevojë të punohej sërish, u ripa edhe njëherë nga Ledi Shamku Shkreli, e cila është kujdesur për këtë botim. Brikena Çabej e ka parë e dëgjuar Pash Gjeçin të flasë për këtë libër. Përktheu vetëm pjesën e parë, por edhe më të vyerën. "Me babanë dhe vëllain tim, Pashku kishte shumë miqësi. Ishte njeri i veçantë. Vëllai im e hodhi, e korrigjoi për herë të parë, e kopjoi disa herë deri sa nxori kopjen e pastër të atij shkrimi. Ishin vitet ‘60-‘68. Për një periudhë më të gjatë, megjithëse fëmijë, kam dëgjuar shumë për të. Kam dëgjuar komente që bëheshin në shtëpi nga im vëlla, im at dhe Pashku", tregon Çabej.