Leonard Qylafi rrëmben çmimin "Ardhje"
Leonard Qylafi është fituesi edicionit të dytë të Çmimit për Artin Bashkëkohor "Ardhje 08". Një cikël fotografish, që në thelb të tyre përcjellin frymën ekzistenciale, i kanë dhënë edhe çmimin Qylafit. Punët janë gjykuar nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga Celia Prado, kuratore e Bienales së 5-të të Goteborgut, Roberto Pinto, kurator i pavarur, Milano, dhe Gëzim Qëndro, kritik arti. Qylafi do të shkojë në Nju Jork, për një periudhë prej 6 javësh, në një rezidencë për artistë të ofruar nga Fondacioni për Shoqëri Civile. Shtatë artistë kanë konkurruar mes tyre nën moton "Pas çdo agimi, bota nuk është ajo e një dite më parë". Edi Muka dhe Joa Ljungberg, kanë përzgjedhur punët e artistëve, të cilat do të qëndrojnë të ekspozuara njëkohësisht në mjediset e Galerisë së Akademisë së Arteve të Bukura, dhe Galerisë ZETA në Tiranë. Subjektet ngjethëse dhe loja me dritën në fotot e Bevis Fushës, raportet e çuditshme arkitektonike të imazheve dhe shtëpive të Heldi Pemës, kërkimet vetjake të Elsa Martinit, fryma ekzistenciale në fotot e Leonard Qylafit, misteri i pikturave të Enkelejd Zonjës, klithma e heshtur e instilacioneve të Era Tulës dhe videot poetike të Genti Gjikopullit, i japin jetë një ekspozite drithëruese që na sjell copëza poetike meditimi mbi realitetin përqark nesh.