E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një obelisk kushtuar Kongresit të Manastirit

Një obelisk shkronjash, 4 metra i lartë dhe një metër i gjerë, është monumenti më i fundit që i është shtuar qytetit të Korçës. Vepra e një skulptori korçar, që është vendosur te kodrat e qytetit, ka ardhur me rastin e ngjarjes historike të Kongresit të Manastirit, pikërisht në vendin ku delegatët do të mblidheshin për unifikimin e alfabetit shqip. Obelisku i realizuar nga skulptori Vasillaq Kolevica, është një vepër arti, që i ka munguar kodrës prej vitesh, pas dëmtimit të obeliskut të dikurshëm, që përkujtonte mitingun e madh të shkronjave. Ai është vendosur në kodrën e Shën Dëllisë, mbi qytet, gjatë një ceremonie që ka risjellë edhe një miting me nxënës të shkollave dhe arsimtarë, si për t‘u rikthyer 100 vjet më pas në histori, atje ku u zhvillua mitingu i madh i shkronjave. Vepra, që është bërë pjesë e aktivitetit "Ditët e ABC-së", është zbuluar në orët e para të mëngjesit, në prani të arsimtarëve të shumtë, nxënësve, por edhe aktorëve, që kanë interpretuar pjesë të poezive të para shqipe. Mitingu i madh i këtij aktiviteti të zhvilluar enkas me rastin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit në kodrën e qytetit të Korçës është kryer pikërisht atje ku, rreth 100 vjet më parë, u mbajt mitingu i germave shqipe. Për të ringritur obeliskun e munguar në vendin ku ka qenë më parë, është zgjedhur dita historike, pasi delegatët e Korçës përshëndetën dhe dhanë kontributin e tyre në këtë kongres. Në kodrën e Shën Dëllisë, në vitin 1910, 12 mijë delegatë nga zona e Korçës dhe Shqipëria e jugut zhvilluan edhe mitingun e parë të shkronjave shqipe. Obelisku që ka qenë simbol i ditës historike të këtij mitingu në Korçë është risjellë në të njëjtin vend nga ku dolën edhe 6 delegatët e Korçës, të cilët dhanë kontributin e tyre në Kongresin e Manastirit. Mbi obeliskun 4 metra të lartë janë gdhendur tre shkronjat e para të alfabetit shqip. Aktivitetet kanë vijuar me një kumtesë shkencore në ambientet e universitetit, ndërsa 4 delegatë të Kongresit të Manastirit janë dekoruar pas vdekjes me medalje të artë për veprimtari të shquar në çështjen e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe të mësimit të saj në shkolla dhe si delegatë të Korçës në këtë kongres. Ka qenë senati i universitetit që ka vlerësuar pas vdekjes katër delegatët Gligor Cilka, Sami Pojani, Thoma Avrami dhe Mihal Grameno.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›