E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet kryqi i rrallë në Elbasan

Qyteti i Elbasanit prezantohet edhe një herë me një tjetër vepër të rrallë. Pas katër pllakave të rralla prej dylli, koleksionisti Vangjel Kapidani ka nxjerrë nga fondi i koleksionit të tij një kryq të rrallë prej argjendi. Në trupin e tij gjenden të gdhendura mesazhe, të cilat vijnë prej krishterimit të lashtë. Sipas Kapidanit, nevojiten studiues për t‘i deshifruar. Kryqi, të cilin Kapidani nuk pranon të japë as kohën që e ruan me kaq fanatizëm dhe as vendin, të cilit ai i përket, është i përbërë nga shtatë pllaka argjendi, të derdhura dhe të ngjitura, çka simbolizojnë shtatë sakramentot, misteret e Jezu Krishtit, që nga pagëzimi gjer te kurora e martesës. Në faqen e pasme të tij, sipas studiuesve, duhet të jetë një foto e Jerusalemit të vjetër. Ndërkohë që, pjesa më e rëndësishme e tij, po sipas studiuesve, është firma në krahun e djathtë të figurës së "bariut të mirë", ku shkruhet "Roma - Gral", prej nga del ideja se kur mijëra mbretër, princër e kalorës u vërsulën për të gjetur Gralin e Shenjtë, kupën me të cilën piu verë Jezu Krishti në darkën e fundit. Gojëdhënat thonë se, pasi kupa u gjet, u shkri dhe u derdh në formën e një kryqi. Studiuesit thonë se, nëse gjendet mundësia për ta deshifruar, në këtë kryq mund zbulohen të panjohura nga periudha paleokristianizmit. Sipas prof. dr. Shaban Sinani, shenjat e këtij kryqi duhen të jenë të deshifrueshme. Ndërkohë, tri vijat kryqëzuese, që përshkojnë kryqin në formë gjysmëharku, ngjajnë me germën "D". Sipas Moikom Zeqos, monograme me tri vija të kryqëzuara në qendër bashkë me një tekst të shkurtër në një kryq të tillë, janë gjetur edhe në Sibin të Rumanisë. Ato i përkasin shekullit V-VI. Ndërkaq, foto të kryqit kanë rënë edhe në duart e një studiuesi gjerman. Herbert J.M. Van Mierto në Sothebys të Gjermanisë, shkruan për kryqin se "tregon një datë e hershme kristiane, që e bën të veçantë, interesant dhe relativisht të rëndësishëm, krahasuar me kryqe pektorale, megjithatë është shumë e vështirë për të spekuluar, duke e parë vetëm në foto dhe, nëse është e mundur, ju këshilloj t‘ia tregoni këtë muzeve, ose ekspertëve tanë nga afër në realitet". Nga ana tjetër, dy studiues të fushës së arkeologjisë, Blerina Berberi dhe Kevin Tummers, që kanë vizituar këto ditë koleksionistin elbasanas, kanë insistuar që objekte të vlerave ndërkombëtare të merren nën kujdesin e analizimit dhe inspektimit të veprave, bazuar në standarde ndërkombëtare të vlerësimit. Ndoshta kjo është arsyeja që koleksionisti Kapidani ka udhëtuar dje drejt Tiranës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›