Faza e dytë e fushatës pas përcaktimit të kandidatëve
21/03/2005 Faza e dytë e fushatës elektorale të Partisë Demokratike, pritet të fillojë pas përcaktimit të 100 kandidatëve në qytetet e Shqipërisë. Gjatë kësaj kohe deri në Kongresin e Partisë sipas burimeve në PD, lidershipi i partisë do të zhvillojë takime nëpër degët e partisë në rrethe. Por, gjithsesi prezantimi i kandidatëve do të fillojë pas Kuvendit Kombëtar. Përzgjedhja e kandidaturave është dhe proçesi më delikat që pritet të shkaktojë debate të shumta brenda PD-së si pasojë e pakënaqësive që mund të kenë shumë prej kandidatëve. Lideri demokrat Berisha, deri më tani është treguar i rezervuar në përcaktimin e emrave që do të garojnë në zgjedhjet e verës, duke pritur që emrat e tyre t'i bëjë publikë pas zhvillimeve të Kuvendit Kombëtar. Prezantimi i tyre para kuvendit do të shkaktonte pakënaqësi mes delegatëve dhe bazës. Në listën e kandidaturave të PD-së në zgjedhjet e sivjetshme pritet të jenë dhe rreth 20 emra të anëtarëve të Komitetit të Orientimit të Politikave.