E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zëri i aktorit të madh u bë këmbanë zgjimi për epokën

21/03/2005  Presidenti Moisiu merr pjesë në ceremoninë përkujtimore të Aleksandër Moisiut

Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, ka udhëtuar drejt Zvicrës, ku ka marrë pjesë ditën e djeshme në takimin e zhvilluar nga shqiptarët e atjeshëm me rastin 70 vjetorit të vdekjes së aktorit shqiptar, Aleksandër Moisiu. Takimi “Lule për Aleksandër Moisiun”, u zhvillua në Lugano të Zvicrës, ku edhe prehen eshtrat e aktorit të shquar shqiptar. Duke iu drejtuar pjesëmarrësve në takim, presidenti Moisiu tha se vlerëson përpjekjet e bashkatdhetarëve të atjeshëm, të cilët sipas tij, mbajnë lart frymën atdhetare dhe kulturore të vendit. "Vlerësoj lart përpjekjet tuaja të përbashkëta, pasionin artistik dhe frymën atdhetare për të përuruar tubimet tradicionale për Aleksandër Moisiun, këtu në Lugano të Zvicrës, ku Ai prehet, e për t’u përhapur pastaj valë-valë, si shprehje e gjallë e nderimit që kanë shqiptarët kudo ku jetojnë dhe punojnë, për veprën madhore të këtij vigani të skenës teatrore evropiane dhe botërore", tha Presidenti Moisiu. Duke folur për veprën e aktorit të madh, Presidenti shqiptar u shpreh se aktori i madh përcolli në skenat e botës personazhe dhe ide të mëdha. "Gjithmonë, në betejat e artit e të jetës, u ndodh në krah të forcave intelektuale progresive, në kohë të turbullta e të ngarkuara me rreziqe, zëri i tij u bë këmbanë zgjimi dhe ndërgjegje artistike e epokës së vet. Me Aleksandër Moisiun, në dejet e të cilit, siç e pohonte dhe vetë, rridhte gjak shqiptar, Shqipëria e vogël i dha teatrit evropian një gjeni me temperament të jashtëzakonshëm, i cili, pa e harruar vendin e trungut të tij familjar, Kavajën dhe Durrësin e tij të fëmijërisë, i fali artit botëror gjithë fuqinë e talentit të tij, duke u bërë kështu, pararendës i integrimeve artistike europiane, një zë bashkimi pa kufi", tha presidenti Moisiu.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›