E Shtunë, 31 Tetor 2026

Majko: “Kufijtë nuk janë as të PS-së, as të PD-së, Topi të mbledhë Këshillin e Sigurimit



TIRANË – Mes debateve të shumta për ndryshimin e vijës kufitare detare mes Shqipërisë dhe Greqisë ka hyrë edhe deputeti socialist, zoti Pandeli Majko, i cili i ka kërkuar presidentit Topi që të mbledhë Këshillin e Sigurimit për këtë çështje. Ai është shprehur se kufijtë nuk janë as të Partisë Socialiste dhe as të Partisë Demokratike. Ky qëndrim vjen vetëm pak ditë para datës së ratifikimit të Marrëveshjes në Kuvend, ku debatet janë ndezur jashtë mase në radhët e shoqërisë civile, ekspertëve ligjorë dhe ushtarakëve, ndërsa politika dhe maxhoranca e kanë kaluar në heshtje. Pas politikanit pa mandat, Sabri Godo, është Pandeli Majko që në emrin e Partisë Socialiste ka kërkuar më shumë transparencë rreth këtij pakti. Ish-kryeministri dhe ish-ministri i Mbrojtjes, sot anëtarë i Kryesisë së PS-së dhe deputet i kësaj partie, thotë për kanalin televiziv “Top Channel” se Presidenti i Republikës duhet të thërrasë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për ta marrë në analizë këtë marrëveshje. “Presidenti duhet të thërrasë Këshillin e Sigurimit, të kërkojë informacione, pasi kjo çështje nuk mund të qëndrojë vetëm në nivelin mediatik. Kufijtë nuk janë as të Partisë Socialiste dhe as të Partisë Demokratike”, - u shpreh Majko. Sipas Majkos, edhe sikur 10 për qind e asaj që thuhet të jetë e vërtetë, atëherë ky është një problem që kap momentin e skandalit dhe që do të rëndojë në marrëdhëniet dypalëshe.
“Nuk kemi pse bëjmë me faj vendin fqinj; fajin e kemi brenda vetes”, - thotë Majko, i cili shton se në asnjë qeverisje socialiste nuk ka qenë në diskutim një marrëveshje e tillë. Brenda një harku kohor prej një jave janë organizuar dy tryeza me ekspertë dhe ushtarakë, të cilët e njohin problemin. Kolonel Myslym Pasha, i cili ka bërë një studim për këtë çështje, dhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Arben Puto, kanë kërkuar rishikimin e kësaj marrëveshjeje, pasi përbën cenim të sovranitetit dhe territorialitetit të Shqipërisë. Aq më tepër që kjo bie ndesh me interesat jetike të shqiptarëve.

14 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›