Kavajë, arrestohen 7 anëtarët e një bande grabitësish
Policia e Kavajës ka shkatërruar një grup hajdutësh të përbërë nga shtatë anëtarë të cilët operonin në pesë qytete të vendit ku kryenin vjedhje të ndryshme. Sipas policisë shtatë personat mes tyre dhe një vajzë dyshohet se kanë kryer një sërë vjedhjesh të ndodhura në Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë. Pas regjistrimit të një sërë denoncimesh për vjedhje policia nisi menjëherë hetimet duke dyshuar se ato ishin vjedhur nga një grup hajdutësh që vepronin bashkërisht. Kështu oficerët e policisë së Kavajës organizuan një operacion të koduar “Lëvizje e shpejtë” i cili u finalizua me arrestimin e Lulzim Kalaja, 32-vjeç, Elvis Kalaja, 24-vjeç, Jodjan Shametaj, 19-vjeç, Gramos Shehaj, 18-vjeç, Ilirjan Mukaj, 30-vjeç, Vllasi Furrxhi, 20-vjeç dhe Beslinda Lile, 20-vjeçe. Burime nga policia thanë se arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në periudha të ndryshme kohore, kanë realizuar një sërë vjedhjesh të shtrirë në zonat Rrogozhinë, Golem, Durrës, Kavajë dhe Vlorë. Pas një hetimi intensiv dy mujor i realizuar nga strukturat e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Kavajë u bë e mundur dokumentimi ligjor i implikimit të tyre në vjedhjet e disa lokaleve, banesash, karburanteve etj. Autorët e dyshuar, qarkullonin me motorë nga qyteti i Vlorës për në drejtim të Kavajës për të realizuar më së miri vjedhjet e tyre. Përgjatë segmentit rrugor Kavajë-Rrogozhinë, ato janë kapur në flagrancë, në ndjekje e sipër nga forcat e policisë duke vjedhur karburant, (naftë), në makineritë e firmës “Salillari” Sh.p.k, të ndodhur në Kavajë. Ndërkohë, nga puna hetimore e bërë, u bë e mundur dokumentimi ligjor, i vjedhjes së lokalit në pronësi të një shtetasi e ndodhur më datë 4 shtator të këtij viti në fshatin Vilë, Boshtovë, Kavajë, ku janë vjedhur shumë pajisje të një lokali si, dy ekspresë, kafeje, një frigorifer banak, një frigorifer ngrirës, një makinë grirëse mishi, një gjenerator dhe sende të tjera të ndryshme. Gjithashtu, u bë dokumentimi i vjedhjes së automjetit tip-Benz 240, me targë KJ 5876 A, i vjedhur me datë 10 tetor të këtij viti, në fshatin Manzotaj Kavajë, në pronësi të një shtetasi, mjet i cili është sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Pas hetimeve të mëtejshme për dokumentimin e disa vjedhjeve të mëparshme të ndodhura në Kavajë, ka rezultuar se të arrestuarit janë autorë edhe të disa ngjarjeve të tjera si, vjedhje lokalesh, vjedhje banesash, vjedhje automjetesh, vjedhje këto të shtrira në zonën e Kavajës, qytetit të Durrës dhe të Vlorës.
Trafiku i klandestinëve, pranga bullgarit që vinte nga
Arrestohet shtetasi bullgar Borislav Gançarov, shofer i mjetit transportues
Dy shtetas afganë ishin fshehur në maune për tu trafikuar drejt Italisë
Antitrafiqet e policisë së Tiranës çojnë në qeli një shtetas bullgar pasi ndihmoi dy afganë të kalonin ilegalisht kufirin. Borislav Grançarov, 31-vjeç, banues në Jahinovo Bullgari, me shtetësi e kombësi Bullgare u arrestua dje sepse dyshohet se ka ndihmuar me synim për të kaluar kufirin Greqi-Shqipëri, përmes Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë Korçë, me destinacion Italinë, dy shtetas Afganë. Shtetasit Afganë të cilët po tentonin të kalonin kufirin Shqiptar në mënyrë klandestine, u gjetën të fshehur në një kamionin i parkuar në një parking privat, të ndodhur pranë Doganës së Tiranës. Policia nisi menjëherë hetimet në ngarkim të bullgarit ndërsa materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “Dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.
Trafiku
Shtetasit me kombësi Afgane do t’i dorëzohen Drejtorisë Rajonale për Kufirin e Migracionin, me qëllim kthimin e tyre në shtetin Grek. Policia është e sigurt se shtetasit afganë kanë qenë klandestinë që kanë ndjekur itinerarin e trafikut për në Itali nëpërmjet linjës së Malit të Zi. Deri në Greqi zakonisht shtetasit afganë, Pakistanezë etj, mbërrijnë nëpërmjet anijeve pasi Greqia ka kushte favorizuese dhe kontrolle më të lehta në këtë drejtim për sa i takon kontrollit detar. Pas Greqisë, pika tjetër është Shqipëria, ku më tej nëpërmjet Malit të Zi, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë e më në fund Italisë, shtetasit afganë do të kishin mundësinë të hidheshin në europë.
Rrjetet
Autoritetet policore italiane kanë rritur në mënyrë të ndjeshme vitet e fundit vigjilencën ndaj linjës së trafikut klandestin të shqiptarëve nëpërmjet linjës “malazeze”. Në disa raporte policore të këtij shteti, kjo linjë përmendet si më e madhja që pas vitit 2004, kur thuajse u shua transporti me mjete ilegale detare i klandestinëve drejt Italisë. Sipas autoriteteve italiane, linja “malazeze” dhe ajo “greke” janë linjat më të mëdha të eksportimit të klandestinëve shqiptarë drejt vendit fqinj. Vetë klandestinët kanë deklaruar para autoriteteve italiane se pas kontaktit me anëtarët e organizatës së trafikut ata kanë paguar një paradhënie që para nisjes, ndërsa pjesa tjetër e pagesës kryhej tek personi i kontaktit vetëm pasi klienti, pra klandestini, telefononte të afërmit e vet pas mbërritjes në Itali.
23 Tetor 2009