E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Fazliç”, juristët kundër hetimit ndërkombëtar

Nga Tedi Blushi
Reagojne juristet per Fazllic. Sipas konstitucionalistit Gent Ibrahimi, edhe komisioni hetimor parlamentar perdhe rezultatet e tij do të jenë paragjykuese për hetimin dhe nuk do të sjellin asgjë 

TIRANE-Ekspertët ligjorë hedhin poshtë dhe e cilësojnë absurde nismën për një grup hetimor ndërkombëtar të hedhur në treg nga kryeministri Sali Berisha, në lidhje me çështjen “Fazliç”. Sipas konstitucionalistit Gent Ibrahimi, edhe komisioni hetimor parlamentar dhe rezultatet e tij do të jenë paragjykuese për hetimin dhe nuk do të sjellin asgjë. “Nisma për një grup hetimor ndërkombëtar është absurde. Mund të them me siguri absolute që nuk ekziston asnjë bazë ligjore dhe kushtetuese për të ndryshuar kursin në rastin konkret. Ky është një rast si mijëra e mijëra raste të tjera që institucioni i akuzës ballafaqohet në jetën e vet institucionale dhe nuk ka asnjë arsye pse ky rast të hetohet ndryshe”, - shprehet konstitucionalisti i njohur. Në të njëjtën linjë edhe juristi Spiro Peçi, ish-ministër drejtësisë dhe aktualisht deputet i pavarur e cilëson të pakuptimtë zellin e maxhorancës për një hetim ndërkombëtar të çështjes “Fazliç”. “Në lidhje me këtë çështje, unë nuk e kuptoj se çfarë ka parasysh kryeministri kur deklaron hetim ndërkombëtar, pasi pyetja më e thjeshtë që lind është se kush do t’i përcaktojë prokurorët e huaj”, - sqaron Peçi në një prononcim të tij dhënë për mediat vizive. Duke u fokusuar mandej tek procedurat e ndjekura nga organi i akuzës në lidhje me ftesën për paraqitje të kërkuar ndaj Damir Fazliç nëpërmjet komunikimit verbal, ai e konsideron këtë si ligjore. “Kodi i Procedurës Penale e pranon dhe këtë formë njoftimi për shkak të rrethanave dhe këtu nuk ka asgjë antiligjore”, - saktëson Peçi. Sa i përket propozimit të kryeministrit për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të verifikuar përplasjet e fundit mes prokurorisë dhe ministrisë së Drejtësisë lidhur me të njëjtën çështje, ai shton “se marrëdhëniet mes këtyre dy institucioneve rregullohen me ligj, ndaj nuk ka çfarë të hetohet”. Ndërkaq, avokati Vladimir Meçe mendon se prokuroria ka zbatuar ligjin gjatë procedurave të ndjekura në çështjen “Fazliç”. Kodi i Procedurës Penale e pranon sipas tij edhe njoftimin verbal me telefon, e cila është një procedurë e ndjekur edhe më parë nga organi i akuzës, por që në këto momente sulmohet nga politika, për shkak se në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ka dy standarde. “Ndeshemi shpesh me përdorimin e këtij standardi. Nëse nuk do të kishte interes nga politika, nuk do të ishte bërë fare zhurmë. Ka dhjetëra raste kur prokuroria ka vepruar dhe askush nuk ka ngritur zërin, ashtu sikurse ka raste kur procedimi penal nga prokuroria nuk ka filluar atëherë kur duhet të fillonte dhe ka pasur zhurmë”, - ka deklaruar Meçe në një prononcim të djeshëm për mediat vizive. Ai e cilëson pronën e bllokuar të biznesmenit serbo-boshnjak, si një procedurë të ndjekur edhe më parë nga prokuroria. Sipas tij, edhe në këtë rast ka pasur dy standarde të zbatimit të ligjit në vend. “Çdo vendim që prokuroria e merr, duhet të ketë në mbrojtje interesat e qytetarit dhe për çdo sekuestrim prone duhet të vihet në dijeni pronari i kësaj prone”, - ka shtuar Meçe. Kryeministri Sali Berisha, në një konferencë të posaçme për shtyp dy ditë më parë tha se do kërkojë hetim ndërkombëtar për çështjen ‘Fazliç’. Ai shtoi se krahas këtij hetimi do ketë dhe një komision parlamentar për këtë çështje. “Jam sot para jush për të informuar qytetarët shqiptarë se qeveria vendosi të kërkojë hetim ndërkombëtar për problemet e dala ditët e fundit. Ky vendim nuk merret në mënyrë absolute, për morinë e shpifjeve dhe trillimeve të pafundme ndaj cilitdo person. Ky vendim merret për dy arsye: E para, në rast se faktohet se qeveria shqiptare i ka dhënë qoftë edhe 1 qindarkë të vetme nga fondet publike biznesmenit Damir Fazliç, kuptohet se kjo qeveri i ka dhënë atij miliarda. Kjo është e detyrueshme për t’u sqaruar”, - tha Berisha.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›