Zapatero: “OK” për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO
TIRANE-Spanja garanton mbështetje të plotë për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO. Mbështetja i është dhënë Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë vizitës së saj në Spanjë nga kreu i qeverisë, Jose Luis Rodrigez Zapatero. Kryeministri spanjoll e vlerësoi këtë vizitë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, si një vizitë shumë të rëndësishme që do të nxisë të tjera shkëmbime vizitash mes dy vendeve dhe do të rrisë nivelin e bashkëpunimit. “Është shumë e rëndësishme për ne, - tha Kryetarja Topalli, - që Spanja ishte ndër vendet e para që ratifikoi MSA-në, Shqipëri-BE. “Shpresojmë që gjithashtu, vendi mik spanjoll do të ratifikojë së shpejti edhe Protokollin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO”. Kryeministri Zapatero garantoi Kryetaren e Kuvendit se procesi i ratifikimit të këtij protokolli nga Spanja do të përfundojë brenda një kohe të shkurtër, dhe se Spanja mirëpret anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në NATO. Kreu i qeverisë spanjolle theksoi se është në pritje të vizitës së Kryeministrit shqiptar Berisha, në Spanjë. Kryetarja e Kuvendit tha se do të ishte në nderin dhe kënaqësinë e Shqipërisë të presë në një vizitë së afërmi edhe Kryeministrin Zapatero.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)