E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikën kryepolici i Tiranës, vjen drejtori i Specialeve

Levizje ne polici. Sigurisht që lëvizja më e dukshme ishte ajo e kryepolicit të Tiranës, Muhamet Rrumbullaku. Është i vetmi drejtor policie i kryeqytetit në 10 vitet e fundit, që largohet nga ky post me dëshirën e tij 

TIRANE-Tërhiqet pas 30 muajsh nga posti i drejtorit të Policisë së Tiranës, drejtuesi i parë, Muhamet Rrumbullaku. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi dje ka pranuar kërkesën e kryepolicit të Tiranës për t’u larguar nga kjo detyrë për shkaqe shëndetësore. Ndërsa, e ka emëruar në postin e drejtorit të Akademisë së Policisë “Arben Zylyftari”. Në postin e Rrumbullakut është komanduar deri në një vendim të dytë, Hamdi Fiore, drejtori i Forcave Speciale. Fiore ka shërbyer si shef i shtabit të repartit RENEA, ndërsa është komanduar në dy vjetët e fundit si drejtor policie në Gjirokastër dhe Elbasan, respektivisht 3 muaj dhe një muaj e gjysmë.
Po dje janë firmosur lëvizjet dhe emërimet për drejtuesin e parë, Jashar Vreka, nga drejtor i Akademisë së Policisë, në këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Ndërsa këshilltari Shkëlqim Saço, është emëruar drejtor i Drejtorisë së Arsimimit Policor në Departamentin e Trajnimeve. Drejtuesi Edmond Rizai lë postin e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve në Policinë e Tiranës dhe emërohet këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm. Në vendin e Rizait komandohet nga detyra e shefit të operacioneve speciale, kryekomisari Arben Caka.
Sigurisht që lëvizja më e dukshme ishte ajo e kryepolicit të Tiranës, Muhamet Rrumbullaku. Është i vetmi drejtor policie i kryeqytetit në 10 vitet e fundit, që largohet nga ky post me dëshirën e tij. Sipas zëdhënësit Klodian Branko, posti i ri është një tjetër sfidë për drejtuesin e parë Muhamet Rrumbullaku, pasi do të drejtojë të gjitha trajnimet për personelin e ri që do të shërbejë në polici, si dhe programin e trajnimit bazë 11-javor, i nevojshmen për 6.500 oficerë policie në nivel operacional. Vetë drejtuesi i parë, Rrumbullaku, në takimin me efektivat e policisë së Tiranës është shprehur se “në përfundim të detyrës sime si drejtor i Policisë së Qarkut Tiranë, do të doja të shprehja kënaqësinë dhe respektin për punën dhe bashkëpunimin që kam pasur me të gjithë stafin drejtues të kësaj drejtorie. Në dy vjet, pavarësisht shkurtimit të numrit të efektivave, Drejtoria e Policisë së Tiranës mundësoi të rriste me 18 për qind zbulueshmërinë dhe forcën goditëse. Ndërsa janë finalizuar 160 operacione për goditjen e grupeve dhe individëve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore, nga të cilat, 54 në fushën e drogës. Gjatë kësaj periudhe, policia e Tiranës me operacionet e saj ka mundësuar sekuestrimin e 35.553 kg heroinë ; 395.560 kg kanabis; 1.987 kg kokainë; metadon 192 tableta, si dhe 238 rrënjë bimë kanabis. “Në dorëzimin e detyrës nën drejtimin e Policisë së Tiranës për afro 2 vjet e gjysmë, jam i obliguar të largohem nga ky pozicion për arsye shëndetësore. Duke uruar të gjithë punonjësit e Policisë së Tiranës, për të arritur suksese të tjera në përmbushjen e detyrave institucionale të policisë, ju siguroj se edhe në detyrën shumë të vlerësuar ku jam emëruar, do të jem gjithnjë pranë jush, për realizimin e prioriteteve tona dhe për integrimin europian të vendit”, - ka përfunduar Rrumbullaku.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›