E Diel, 1 Nëntor 2026

Fazliç u mbajt i fshehtë para krerëve të sigurisë

Zbulohen detaje të reja të takimit midis biznesmenit Damir Fazliç dhe zyrtarëve të lartë shqiptarë në mars të 2006-ës në Shqipëri. Ish-shefi i Kapitanerisë së Portit të Durrësit, njëkohësisht edhe nënkryetar i PDK-së, Vladimir Beja, i pranishëm në takimin mister mes ministrave të kabinetit "Berisha", këshilltarit të Kryeministrit për çështjet e sigurisë, Tom Rixh, dhe biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazliç, tregon për "Shqip" detajet e takimit 20-minutësh. Sipas Bejës, takimi i marsit të vitit 2006 ishte formal dhe nga delegacioni i huaj është prezantuar vetëm Tom Rixh, ndërkohë që për pjesën tjetër të delegacionit nuk janë dhënë sqarime. "Damir Fazliç ishte aty, por nuk na e prezantoi njeri. Madje ai as nuk ka folur fare gjatë takimit që zgjati shumë pak, vetëm 20 minuta", u shpreh Vladimir Beja, i cili në detyrën e ish-shefit të Kapitanerisë së Portit të Durrësit u bë protagonist i këtij takimi. Beja theksoi se do të flasë në një moment tjetër për më shumë detaje rreth takimit, sesi e njeh ai Damir Fazliç. Pas publikimit të fotografive të takimeve të Fazliç në Tiranë, kanë filluar të flasin protagonistët e politikës shqiptare, të përfshira në këto foto. Beja thekson se, pas përfundimit të takimit, delegacioni shqiptar është nisur për në drejtim tjetër, ndoshta në selinë e Kryeministrisë. Kjo tregon se Fazliç vizitonte herë pas here "mikun" e tij të vjetër, Sali Berishën në zyrën e tij. Pavarësisht se Rixh ende nuk ishte bërë këshilltar i Berishës, ai ka mundur të vendosë në rresht ministrat e kabinetit qeveritar, duke i ulur në një tavolinë me njeriun më të përfolur në Bosnje ditët e fundit. Jo vetëm kaq, por i gjithë "misteri" qëndron në faktin që identiteti i Damir Fazliç është mbajtur i fshehtë. Në çdo takim të ndonjë delegacioni të huaj, bëhet prezantimi në fillim, ndërkohë që rasti në fjalë nuk është përgjithësuar me të tjerët, duke shmangur dhënien e identitetit të tij. E paqartë gjithashtu mbetet prania e Damir Fazliç pranë Tom Rixhit në këtë takim.

Vladimir Beja, aktualisht në postin e nënkryetarit të PDK-së, ka sqaruar se është i gatshëm të flasë për detajet e takimit menjëherë sapo të kthehet në Tiranë, për shkak të angazhimeve dhe turit të PDK-së në rrethe.

Takimi

Rreth dy vjet e gjysmë më parë, në mars të vitit 2006, tre ministra zhvilluan një mbledhje për sigurinë kombëtare, me praninë edhe të një delegacioni amerikan, drejtuar nga këshilltari i Kryeministrit Berisha, amerikani Tom Rixh. Në krah të tij rrinte i ulur Damir Fazllic kurse përballë ishin ministri i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme, i Transporteve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, drejtori i përgjithshëm i policisë i asaj kohe, drejtori i aviacionit civil dhe ai i porteve. Sipas informacioneve, në takim, të tre ministrat kanë folur për masat e marra nga dikasteret respektive, gjendjen e sigurisë dhe problemet e vështirësisë në fushën e sigurisë në kufi, porte dhe aeroporte. Tom Rixh është emëruar më 4 shtator të vitit 2006 si këshilltar i Kryeministrit Berisha për çështjet e sigurisë, ndërkohë që takimi ishte zhvilluar që më 5 mars të atij viti, pra gjashtë muaj më parë nga emërimi i tij si këshilltar. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, theksoi një ditë më parë për "Shqip" se në takim është diskutuar në përgjithësi për masat që ka ndërmarrë Shqipëria për plotësimin e standardeve të domosdoshme për hyrjen në NATO, sa i përket sigurisë kombëtare dhe luftës ndaj krimit të organizuar, si dhe korrupsionit.

Ndërkaq, në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe organit zyrtar informativ të saj "Ushtria", theksohet qartë se Tom Rixh, i shoqëruar nga biznesmeni Damir Fazliç, është takuar me ministrat dhe krerët e institucioneve të sigurisë më 4 mars, kurse një ditë më pas është zhvilluar një tryezë e rrumbullakët në një nga hotelet e Tiranës, ku ka marrë pjesë Kryeministri Berisha, anëtarë të kabinetit dhe krerë të institucioneve të vendit, në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.

Bakiu: Nuk heq asnjë presje nga deklarata

Ish-funksionari i lartë i policisë, Besnik Bakiu, ka këmbëngulur se takimi midis ministrave dhe funksionarëve të lartë shqiptarë me përfaqësuesit "amerikanë" është zhvilluar në muajin mars. Për më tepër, ai ka dhënë edhe fakte bindëse se ky takim është zhvilluar në atë kohë, pasi më vonë nuk mund të ishte i pranishëm. Pas deklaratës së ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, se takimi është zhvilluar kur Tom Rixh ishte zgjedhur këshilltar i Kryeministrit, Bakiu ka dhënë edhe fakte të tjera. Në një prononcim tjetër, ai deklaroi se "duke i justifikuar për gabimin në kohë, për vetë rëndësinë e detyrave që kanë mbuluar, desha t‘iu ripërsërisja se nga intervista e djeshme nuk heq asnjë presje, për kohën kur u zhvillua dhe tematikën që u diskutua".

Takimi më 4 mars 2006

Në faqen e internetit të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe organit zyrtar informativ të saj "Ushtria", theksohet qartë se Tom Rixh, i shoqëruar nga biznesmeni Damir Fazliç, është takuar me ministrat dhe krerët e institucioneve të sigurisë më 4 mars 2006, kurse një ditë më pas, është zhvilluar një tryezë e rrumbullakët në një nga hotelet e Tiranës, ku ka marrë pjesë Kryeministri Berisha, anëtarë të kabinetit dhe krerë të institucioneve të vendit, në lidhje me çështjet e sigurisë kombëtare.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›