E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiro Peçi: Qeveria po shkel Kushtetutën

Pamundësia për të pasur nën kontroll Prokurorinë e Përgjithshme për "çështjen Fazliç", ka çekuilibruar Ministrinë e Drejtësisë dhe organin e akuzës, duke kërkuar që të syrgjynosë dokumentin themeltar të shtetit. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar që të njihet me dosjen "Fazliç", ndërkohë që prokuroria nuk ia ka lejuar një gjë të tillë inspektorëve të dërguar nga Ministria e Drejtësisë te Prokuroria e Përgjithshme. Një nga deputetët aleatë të PD-së, Spiro Peçi, nuk ka preferuar të japë një koment të gjatë mbi çështjen, duke u mjaftuar të citojë vetëm ligjin për t‘ia lënë opinionit publik gjykimin. "Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të kontrollojë vetëm dosjet e mbyllura nga prokuroria. Ndërsa për ato që janë nën hetim, nuk ka asnjë të drejtë", u shpreh Peçi.

Konflikti

Ina Rama futet sërish në sherr me qeverinë. Këtë herë, molla e sherrit ka qenë çështja "Damir Fazliç". Hetimet për biznesmenin boshnjak kanë shkaktuar një përplasje të fortë midis Prokurorisë së Përgjithshme dhe qeverisë. Ministria e Drejtësisë kërkoi të njihej me ftesën që Prokuroria firmosi tri ditë më parë për biznesmenin Damir Fazliç, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar që të sigurojnë kontakte me prokurorët e çështjes për t‘u njohur me aktet e dosjes në hetim për "pastrim parash". Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë ka të drejtë të kontrollojë vetëm dosjet e mbyllura nga prokuroria. Ndërsa për ato që janë nën hetim, nuk ka asnjë të drejtë. Punonjësit e Ministrisë së Drejtësisë kanë kërkuar gjithashtu të njihen me materiale të dosjes dhe me argumentet mbi të cilat Prokuroria filloi hetimin dhe kërkoi paraqitjen e Damir Fazliç për të dhënë deklarime. Por prokuroria ka refuzuar, duke shpjeguar se ligjet e vendit e ndalojnë kategorikisht që Ministria e Drejtësisë apo çdokush tjetër, të njihet me aktet dhe dokumentet e një dosjeje që është në hetim dhe ende nuk është gjykuar.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›