E Shtunë, 31 Tetor 2026

Veliaj takohet me ministrin e Jashtëm gjerman

Pas Kryeministrit Sali Berisha, kreu i lëvizjes G99, Erion Veliaj, takon në Berlin ministrin e Jashtëm Stajnmajer. Veliaj informoi zv/kancelarin Stajnmajer mbi synimin e opozitës shqiptare për të aplikuar për statusin e kandidatit kur të marrin drejtimin e vendit në 2009-ën. "Shqipëria nuk mund të mbetet një enklavë joevropiane. Pas Maqedonisë e Kroacisë, statusi i kandidatit po bëhet realitet për Serbinë e Malin e Zi. Qeveria e ardhshme nuk do të ketë komplekse inferioriteti ndaj fqinjëve dhe do të aplikojë menjëherë për statusin e kandidatit brenda 2009-ës", tha Veliaj. Ai mori premtimin për angazhim nga ana e zv.kancelarit Stajnmajer për të rritur kuotat e bursave dhe vizave për studentët shqiptarë. "Sot, të gjithë trafikantët e kapur, gëzojnë viza ‘Shengen‘ shumëvjeçare me disa hyrje-dalje, kurse një student ende ëndërron Perëndimin pas hekurave refuzuese të ambasadave, ju kërkoj të bëni më të mirën në fuqinë tuaj për ta ndryshuar këtë realitet", vijoi Veliaj. Stajnmajer kërkoi të informohej më tej për ecurinë e hetimeve mbi përfshirjen e qeverisë në tregtinë e armëve, si dhe shprehu shqetësim për lirinë e medias në Shqipëri pas gjobave që pasuan fushatën elektorale. "Këto çështje, që përbëjnë shqetësim të vërtetë për vlerat evropiane, do t‘i ngremë për diskutim në mbledhjen e radhës së ministrave të jashtëm të BE-së", përfundoi Steinmeier. G99 ka dorëzuar tashmë një listë me shqetësimet dhe skandalet e ditëve të fundit, duke nënvizuar se imazhi i qeverisë "Berisha", nuk është imazhi i Shqipërisë së vërtetë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›