E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat e “grabitura” të Farkës,në gjykim 2 punonjës të komunës

16/04/2009  Prokuroria dërgon dosjen në gjykatë për Ramazan Cullahin e Halil Teqjen

TIRANE- Hetimi njëvjeçar i organit të akuzës kryeqytetase mbi abuzimet e administratës së komunës së Farkës, duket se ka marrë fund. Jo më larg se dy ditësh specialistët e njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë pranë Prokurorisë së Tiranës kanë përfunduar hetimet për dy zyrtarë të komunës së Farkës. Burimet thanë se dy të pandehurit quhen Ramazan Cullhai me detyrë anëtar pranë Këshillit të Komunës Farkë dhe Halil Teqja me detyrë topograf specialist pranë kësaj komune. Mësohet se dy të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar një sërë dokumentesh me anën e të cilave është aneksuar në mënyrë të padrejtë një sipërfaqe toke. Anëtarët e grupit hetimor nuk pranuan të japin shifrën totale të sipërfaqes tokësore të aneksuar, por thanë se topografi specialist Halil Teqja duke pasur mbështetjen dhe të anëtarit të Këshillit të Komunës Farkë, ka kryer zhvendosjen dhe falsifikimin e një sërë dokumenteve. Pritet që në ditët në vazhdim dy të pandehurit e dosjes “Farka” të përballen në gjykatën e Tiranës me akuzën e “Falsifikimit të Dokumenteve” nga persona që kanë për detyrë të lëshojnë dokumente. Procesi gjyqësor ndaj tyre mësohet se do zhvillohet në gjendje të lirë. Pak kohë më parë në njësinë Task-Forcë, KLSH-ja ka depozituar një kallëzim ku parashtroheshin të gjitha abuzimet që janë kryer nga zyrtarët e komunës së Farkës. Në zyrat e kësaj komune janë evidentuar shkelje, mbivendosje dhe falsifikime në 97 pasuri të ndryshme, të cilat në total arrijnë sipërfaqen 416.140 m2. Për këto prona, edhe pse në Hipotekë kanë munguar aktet e marrjes së tokës në pronësi, regjistruesit kanë ligjëruar pronësinë e dyshimtë dhe kanë bërë regjistrimin e këtyre sipërfaqeve në emër të personave që në mënyrë të dyshimtë kanë marrë certifikata pronësie nga viti 1998 e në vazhdim.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›