Fazlliç, hetimet shtyhen dhe 3 muaj
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria e Tiranës shtyn me tre muaj afatin hetimor të dosjes penale të hapur ndaj biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. I dyshuari për pastrim parash do të hetohet edhe 90 ditë të tjera nga Prokuroria shqiptare, e cila duket se ka plotësuar verifikimet e nevojshme brenda vendit dhe është në pritje të përgjigjeve për letërporositë e dërguara autoriteteve të huaja në Bosnje dhe në Qipro. Prokurorive qipriote dhe boshnjake u janë kërkuar të dhëna nëse në vendet respektive biznesmeni 33-vjeçar Damir Fazlliç është hetuar për kryerjen e ndonjë vepre penale. Organi shqiptar i akuzës ka kërkuar kopje të akteve të prokurorive të huaja, nëse ata posedojnë të tilla për biznesmenin Fazlliç, i cili në Shqipëri po hetohet për kryerjen e krimit të “pastrimit të produkteve të ardhura nga krimi”. Një dispozitë kjo e cila siç është artikuluar në Kodin Penal shqiptar e detyron Prokurorinë që përveçse të provojë se i pandehuri ka kryer pastrim parash në Shqipëri, të faktojë para gjykatës edhe faktin se paratë e pastruara kanë ardhur prej një veprimtarie kriminale. Mirëpo e vetmja veprimtari kriminale për të cilën është duke u hetuar Damir Fazlliçi janë veprimet e tij financiare të kryera me kompanitë që ai regjistroi në Tiranë pas vjeshtës së vitit 2005. Fazlliç dyshohet se ka pastruar para me shitjen e kompanisë së tij “Crown Acquisition” për 1.7 milionë dollarë kur ky subjekt nuk kishte deklaruar asnjë xhiro dhe asnjë fitim, ndërsa kishte për kapital fillestar vetëm 1 mijë euro. Për këto shkaqe, prokuroria ka vendosur të kërkojë të dhëna nga institucionet homologe të saj në vendlindjen e Fazlliçit, si dhe në Qipro ku ndodhet qendra e disa kompanive kryesore të tij, përfshirë dhe subjektin “Altaria Research ltd”, që bëri blerjen e kompanisë së regjistruar në Tiranë. Vlerësimi i papritur i kësaj kompanie nga 1 mijë euro në kapitalin fillestar në 1.7 milionë euro që është çmimi i shitjes dyshohet se ka qenë një veprim që përbën pastrim parash, aq më tepër kur shuma e përfituar nga ky transaksion është vënë në përdorim për blerjen e 16 mijë metrave katrorë tokë në zonën e fshatit “Rinia” në Porto-Romano në Durrës.
Hetimet për Fazlliç
Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës ka konfirmuar se rreth 1/3 e shumës prej 1.7 milionë euro, që është qarkulluar për blerjen e “Crown Acquisition” ka lëvizur në rrugë jashtë bankare. Ky është konsideruar një veprim i dyshimtë për të shmangur monitorimin bankar, ndërsa Prokuroria ka marrë në pyetje rreth 15 persona, pronarë të sipërfaqeve të tokave në zonën e Porto-Romanos, të cilët kanë shitur pronat e tyre tek biznesmeni Fazlliç. Nga të dhënat e administruara prej Prokurorisë është mësuar se blerja e tokës në Porto-Romano është bërë me një çmim relativisht të lirë, krahasuar me tregun ndërsa paratë janë dhënë për pronarët e tokës nga të njëjtët persona që kanë asistuar me prokura nga Fazlliç në shitjen e dyshimtë të kompanisë së tij “Crown Acquisition”, që ishte regjistruar me qendër në Tiranë. Organi i akuzës ka marrë në pyetje edhe avokaten Flutura Kola, e cila ka marrë pjesë me prokurë në shitjen e kompanisë së Fazlliçit, ndërsa së fundi Prokuroria ka kërkuar të pyesë edhe një të afërm të avokates. Grupi hetimor i çështjes tha se është në pritje të përgjigjeve për letërporositë e dërguara në Qipro dhe në Bosnje, duke shpresuar se nëse prokuroritë e këtyre vendeve kanë pasur dosje për biznesmenin Fazlliç, aktet e tyre do të mbërrijnë në Tiranë brenda afatit 3-mujor të hetimeve që është zgjatur së fundi në mënyrë procedurale.