E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ulet interesi i euros, efektet për kreditë në vend

 

FABIOLA ÇELA

Banka Qendrore Europiane ka ulur sërish normën e interesit të euros. Bordi drejtues i BQE-së vendosi që të ulë normën bazë të interesit të euros me 0.5 për qind dhe aktualisht norma e interesit zbriti në 2 për qind. Ky është niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë që prej ekzistencës së euros. Bordi drejtues e mori vendimin gjate një mbledhje në Frankfurt, në selinë e Bankës Qendrore Europiane. Kjo është ulja e normës së interesit të euros brenda një harku kohor prej katër muajsh. Sipas analistëve të huaj, ulja e normës së interesit do të vazhdojë, tani që zyrtarisht eurozona ka hyrë në recesion. Por pas vendimit të BQE-së pritet që edhe Banka e Shqipërisë të ulë normën bazë të interesit për lekun. Sinjalet e para për këtë vendim tashmë janë dhënë.
Kriza
Aktualisht, Shqipëria ka normën bazë të interesit, REPO, 6.25 për qind. Kjo normë është vendosur në nëntor të vitit 2007 dhe që atëherë nuk është ndryshuar nga Këshilli Mbikëqyrës i bankës. Në atë kohë, që përkon me fillimin e krizës financiare, rritjen e çmimit të energjisë dhe naftës, rritja e normës së interesit u vlerësua si frenuese e inflacionit. Por, këtë fundvit, kriza financiare është kthyer në një krizë ekonomike. Si rezultat, ka një rënie të kërkesës, ulje të kreditimit në të gjithë botën. Kjo situatë detyroi Bankën Qendrore Europiane të ulë deri në 2 për qind normën e Euribor-it dhe Federal rezervë të ulë deri në 0.5 për qind normën bazë të dollarit. Bankat në Shqipëri shumicën e kredive e kanë në valutë, përgjithësisht në euro. Kreditë e dhëna, i referohen pikërisht Euribor, për të përcaktuar interesin. Rënia e Euribor, bën që të gjithë kreditë në euro të kenë një interes më të ulët, si rrjedhojë pagesë më të vogël drejt bankës. Deri këtu, gjithçka është normale. Por bankat e nivelit të dytë në Shqipëri shumicën e depozitave e kanë në lekë. Interesi i kredisë në lekë varion sipas normës bazë të interesit të vendosur nga Banka e Shqipërisë. Një normë e lartë interesi nga Banka e Shqipërisë, do të thotë një interes i lartë për depozitat në lekë, dhe si rrjedhojë një detyrim më të lartë të bankave drejt klientëve. Prishja e këtij raporti, pra ulja e interesit të kredive në valutë dhe mbajtja e lartë e interesit të depozitave në lekë, zvogëlon fitimet e bankave. Kjo është njëra arsye. Arsyeja e dytë është rritja e kreditimit, pra rritja e përdorimit të parave nga ekonomia shqiptare. Kriza ekonomike, që pritet të prekë pak Shqipërinë, do të sjellë uljen e konsumit. Ulja e normës së interesit të lekut e bën monedhën më të dëshiruar për kredi dhe si rrjedhojë më shumë para për investime dhe për konsum.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›