E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, plagosja në auditor përjashtohen dy studentët

 

VLORE/ QEMAL BIRAKU

Përjashtohen nga uiversiteti "Ismail Qemali" në Vlorë dy studentët e përfshirë në konfliktin, i cili precipitoi me plagosjen me mjete prerëse të njërit në qafë. Rektorati i këtij universiteti firmosi urdhrin e përjashtimit për studentët, Lediana Zekaj dhe Klaudio Kamberaj.
Ky i fundit ndodhet ende në spitalin e Vlorës pas plagës që mori në qafë. Ai mësohet se i kishte dhënë fund një historie dashurie me studenten Zekaj. Lediana Zekaj e plagosi atë me një bisturi në qafë pas një konflikti që ata patën në auditor. Pas kësaj ngjarjeje të paprecedentë në historinë e këtij universiteti, që ndodhi më 12 janar, rektorati reagoi duke paralajmëruar fillimisht penalizmin e dy protagonistëve. Ashtu siç edhe u paralajmërua, burime nga sekretaria bënë të ditur, se dje u firmos përjashtimi i të dy studentëve për "shfaqje dhe veprime të pahijshme, që bien ndesh me rregullat e Universitetit". Lediana Zekaj dhe Klaudio Kamberaj ishin studentë të së njëjtit grup. Ditën e ngjarjes mësohet se ata kanë debatuar në ambientet e fakultetit, në një cep të auditorit. Sipas dëshmisë së dhënë nga studentë të tjerë, dy të rinjtë ishin veçuar dhe po debatonin. Papritur djali e goditi të dashurën në fytyrë. Ndërsa vajza në shenjë hakmarrjeje nxori nga xhepi një mjet prerës dhe qëlloi në qafë të dashurin e saj. Studenti i plagosur rëndë u dërgua menjëherë në spitalin e Vlorës pasi rrezikonte seriozisht jetën. Falë ndërhyrjes së shpejtë të bluzave të bardha, u arrit t'i ndërpritej hemorragjia. Policia shoqëroi autoren e ngjarjes, e cila e akuzoi të dashurin e saj si një përdorues droge. Por studenti e ka mohuar akuzën e saj. Ai ka pohuar se kishte vendosur të ndahej prej saj, ndaj ajo reagoi dhunshëm ndaj tij. Pasi u mor në pyetje, studentja do të hetohet në gjendje të lirë, pasi sipas policisë, ajo e ka kryer plagosjen në kushtet e vetëmbrojtjes. Në lidhje me këtë ngjarje dje reagoi edhe këshilli studentor i universitetit. "Ne si përfaqësues të komunitetit studentor, kemi dalë këtu për të shfaqur shqetësimin madhor të këtij komuniteti, në lidhje me këtë ngjarje si dhe me të tjera që fatmirësisht nuk kanë arritur në përfundime tragjike", thuhej në deklaratën e studentëve. Sipas tyre, kushtet e vështira ekonomike familjare, përdorimi i substancave të ndryshme, mungesa e aktiviteteve social-kulturore e sportive, pse jo edhe kërkimore-studimore kanë rënduar së tepërmi gjendjen e studentëve, si dhe botëkuptimin e tyre për një jetë normale. Të gjitha këto kanë rritur në mënyrë skandaloze apatinë e përgjithshme, po bëjnë që studentët dhe të rinjtë në qytetin e Vlorës të humbasin besimin në vetvete dhe të bëhen pre e dhunës, përdorimit të drogës, depresionit apo emigrimit. Këshilli studentor hodhi alarmin se rinia dhe studentët janë në regres të plotë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›