Shqipëri-Mal i Zi, patrullim në liqen
SHKODER - Javën që vjen pritet të konkretizohet puna në terren për patrullimin e kufirit ujor ndërmjet policisë shqiptare dhe asaj të Malit të Zi. Përfaqësues të drejtorive të kufirit dhe emigracionit nga dyja palët zhvilluan një takim dje në pikën e kalimit ujor të lumit Buna, ku u ratifikuan pikat e përbashkëta që kanë marrë përsipër të realizojnë. Drejtori i kufirit shqiptar, Pëllumb Nako u shpreh se patrullimi i kufirit ujor është një nga komponentët e bashkëpunimit të ngushtë midis policive kufitare të dy vendeve. Ndërkohë, që prefekti i qarkut Shkodër, Maxhid Cungu u shpreh se "kemi konstatuar se kemi pasur një rritje cilësore të menaxhimit të kufijve nëpërmjet pikave të kalimit. Gjithashtu, goditja e grupeve kriminale në të dy anët e kufijve, trafiqe etj., do të shërbejë për rritjen e sigurisë dhe dhënien fund një herë e mirë të trafiqeve në të dyja anët e liqenit të Shkodrës", u shpreh Cungu. Ndërsa Vesko Vukadinoviq, kreu më i lartë i policisë kufitare malazeze, u shpreh se po vihet në zbatim, marrëveshja e firmosur në shkurt të vitit 2008 në Konferencën Ndërministrore në Budva të Malit të Zi. Sipas Vukadinoviq, Mali i Zi është shënjestruar si pikë transite e kalimit të drogave për në Evropë dhe se marrja e përgjegjësive nga dyja palët për kontrollin e kufirit ka për qëllim ndalimin e këtij lloji trafiku, i cili bëhet përmes kufirit Shqipëri-Mali i Zi. Ceremonia e djeshme vijoi me një demonstrim të përbashkët patrullimi shqiptaro-malazez përgjatë vijës së kufirit ujor. r.d