E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, “lobisti” që nuk na duhet

HENRI ÇILI 

Damir Fazlliç, personazhi kryesor i mediave në tre-katër ditët e fundit është pak të thuhet i dyshimtë Struktura e përgjigjeve të intervistës së tij tek emisioni “Opinion”, struktura e “Top–Story”-it të tij është aq më tepër e dyshimtë nëse ai është apo jo një “i pandehur”, pra një njeri që ka shkelur ligjin, kjo mbetet për t’u provuar sot dhe nesër nga organet e drejtësisë.  Ajo që mund të thuhet shpejt e shpejt, është ajo që duket qartë: Ai është dikush që ka manovruar nëpër të çarat e një sistemi lokal dhe ndërkombëtar dhe ka bërë afro 50 milionë euro pasuri në Shqipëri nga 2005! Kjo nuk duket të jetë një histori suksesi biznesi apo ndonjë lotari!

Por ajo që demonstron hapur “afera Fazlliç” është të paktën një gjë: Kalimin në një moment të ri të jetës sonë politike, ku bota e politikës dhe kapitalit shpallin lidhjen e tyre hapur, qartë. Dhe ndoshta mirë bëjnë sepse, pas një faze parimesh, pas një faze keqkuptimesh rreth demokracisë liberale kemi nevojë të shohim dhe deklarojmë hapur disa realitete. Disa prej të cilave na i deklaron në intervistën e tij Damir Fazlliç, djaloshi i çuditshëm ballkanas që i bie botës kryq e tërthor, ku një herë është në pas-kuintat e fushatës elektorale të partisë fituese të zgjedhjeve të 2005, herë tjetër në takimet zyrtare me një ish– sekretar amerikan të sigurisë kombëtare përballë kryeministrit të Shqipërisë, herë si investitor, herë si shitës dhe blerës i kompanive të veta etj., etj.

Politika shqiptare, me ciklin e plotë të historisë së Fazlliç, nga dita që u shfaq nëpër ekipet apo afër ekipeve ndihmëse të fushatës të kompanisë BG&R, që asistoi ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike më 2005, e deri ditën e pardjeshme kur hipur në avion i shpëtoi fletëthirrjes së Prokurorisë shqiptare për t’u marrë në pyetje, demonstron se ka hyrë në fazën e kalkulimit të interesave mes aktorëve ndërkombëtare dhe lokale, të politikës dhe biznesit. Ky tashmë është një fakt publik, në krahasim me më parë kur kjo ishte një fakt – jopublik, i cili parashtron disa pyetje dhe pikëpyetje mbi të ardhmen e këtij modeli drejt të cilit po shkojmë.

Por ajo që është e padurueshme nga rrëfimi i Fazlliç dhe rrethanat e tjera që shoqërojnë atë, është përpjekja për ta demonstruar aksionin e tij lidhur me Shqipërinë si një “lobizëm”, që buron nga pasioni politik. Si e tillë, kjo “Fazlliç–story” është diskreditim i lobizmit, i cili në vetvete është jetik për demokracinë liberale, për avancimin e saj në këtë vend dhe kudo në botë. E padurueshme është bashkë me të dhe folklorika e opozitës e tipit Majko – Braçe për “uljen këmbëkryq” në këtë vend të “Serbisë”, kur e gjitha është një punë parash!

Fazlliç dhe veprimtaria e tij nuk përfaqëson asgjë, asnjë prej “lobizmi”. Ky person përfaqëson veten e vet, nuk përfaqëson asnjë qendër vendimmarrëse jashtë Shqipërisë, asnjë organizatë, asnjë grup ekonomik apo formacion ndërkombëtar, në emër të së cilës ai do të mund të vepronte dhe bashkëvepronte me aktorët lokalë, duke filluar nga kryeministri i vendit për të ndryshuar diçka në dinamikat e zhvillimit të vendit, apo në raportet ndërkombëtare të këtij vendi. Si biznesmen ai është tejet i papërfillshëm për të qenë veprues individual në funksion të investimeve të huaja, në funksion të evoluimit të klimës për biznesin apo për perspektivat e zhvillimit të këtij vendi.

Fazlliç, jo vetëm nuk përfaqëson kënd, por nuk përfaqëson as ndonjë ide e strukturë konceptuale nga ato që do të mund të bashkëvepronin me aktorët lokalë për të ndryshuar gjendjen në këtë vend. Për cilin ligj, për cilën reformë, për cilin ndryshim rregullash ka lobuar Fazlliç, qoftë edhe në cilësinë e tij si person që e pasionon politika, tregu apo demokracia në Shqipëri dhe Europën Lindore? Për asgjë të tillë. Pa përfaqësim, pa ide a kauza Fazlliç është sajuar thjesht nëpër korridoret e pushtetit aktual dhe anekset këtij të fundit për të bërë ndonjë “lek në bashkëpunim”. Ai duhet trajtuar si i tillë, nga shteti dhe ligji, nga opozita politike dhe media. E sigurt është se “Fazlliç” nuk është një histori lobizmi në demokracinë liberale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›