E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Frikë nga personat me maska në gjyq"

 

Armand Bajrami

Avokatët që mbro-jnë anëtarët e "Bandës së Durrësit" kanë "frikë" nga personat e maskuar që ruajnë të penduarin Adriatik Coli në sallën e gjyqit. Në fakt, bëhet fjalë për efektivët e forcave speciale të cilat qëndrojnë në sallë për të siguruar mbrojtjen fizike të Adriatik Colit, i cili gëzon statusin e "dëshmitarit dhe të penduarit të drejtësisë". Në seancën e djeshme në ngarkim të anëtarëve të "Bandës së Durrësit", përfaqësuesit ligjorë të personave të akuzuar pretenduan se prania e uniformave blu të maskuar në sallën e gjyqit mund të sjellë pasoja të rrezikshme në mbarëvajtjen e procesit, si edhe sigurinë e jetës dhe shëndetit të palëve në gjykim. Me anë të një kërkese shkrimore, e cila ishte firmosur më parë nga gjithë mbrojtësit, ata i kanë kërkuar trupit gjykues të Gjykatës për Krimet e Rënda marrjen e masave të menjëhershme. "Kontrolli ynë si mbrojtës ligjorë nga persona të veshur me maska në fytyrë është krejtësisht i paligjshëm, mjaft ofendues dhe shantazues, a thua jemi në ndonjë segment rrugor malor, apo në pyll e kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës", thuhet në kërkesën e lexuar dje para togave të zeza nga avokatët. Sipas tyre, "qëndrimi në sallën e gjyqit i personave të paidentifikuar, me uniformë që shoqërojnë të pandehurin Adriatik Coli, të armatosur është një veprim i kundërligjshëm, mjet presioni e shantazhi, përkundrejt palëve në gjykim". Kërkesa nuk u hodh poshtë nga togat e zeza duke e arsyetuar vendimin me statusin e veçantë që gëzon Adriatik Coli. "Adriatik Coli ka bërë një aktmarrëveshje me gjykatën dhe ka fituar statusin e 'dëshmitarit të drejtësisë' dhe si i tillë është i mbrojtur. Gjykata nuk mund të ndërhyjë në mënyrën se si bëhet kjo mbrojtje, për aq sa ato nuk bëhen pengesë për zhvillimin normal të procesit gjyqësor", pohoi për avokatët kreu i trupit gjykues.
Dështon seanca
Seanca e djeshme ka dështuar sërish si pasojë e mungesës së njërit prej avokatëve, shkak i cili po pengon prej kohësh zhvillimin normal të këtij procesi. Në kafazin e hekurt të sallës dje përveç anëtarëve të tjerë, ka qenë edhe Indrit Dokle, i cili ka zënë një vend pranë Lulzim Berishës. Gjatë kohës së zhvillimit të seancës, ata u panë të shkëmbejnë edhe batuta me njëri- tjetrin. Ndërsa krejtësisht i mbuluar nga "sytë kureshtarë" qëndronte Adriatik Coli. I vendosur në një pozicion që nuk mund të shihej nga të akuzuarit e tjerë, përpara tij qëndronin tre efektivë specialë të veshur me antiplumb dhe të maskuar me kapuça të zinj. Gjykata vendosi dje zëvendësimin e avokatit që nuk ishte i pranishëm dhe bëri të ditur lajmërimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore ndaj këtij avokati. Të dyshuarit si anëtarë të "Bandës së Durrësit" akuzohen nga Prokuroria për Krimet e Rënda për një sërë veprash penale, ndër të cilat edhe vrasje, krijim, drejtim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe armëmbajtje pa leje. Që prej fillimit në Gjykatën e Krimeve të Rënda, procesi penal ndaj anëtarëve të "Bandës së Durrësit" është zhvilluar në kushte të jashtëzakonshme. I konsideruari si kapo i bandës Lulzim Berisha shoqërohet në gjykatë me mjete te blinduara të policisë ndërsa në të njëjtat kushte, veçse i maskuar si punonjës policie lëviz edhe i penduari i dosjes Adriatik Coli. Ai pranoi bashkëpunimin gjatë hetimeve paraprake dhe ndihmoi Prokurorinë në zbardhjen e krimeve për të cilat akuzohet "Banda e Durrësit".

"Banda e Durrësit"

Lulzim             Berisha
Plaurent             Dervishaj
Indrit                 Taullai
Endrit             Dokle
Dritan             Coli
Sardian             Sulejmani
Kujtim             Buna
Altin                 Olloni
Elvin                 Hoxhosmani
Alban             Neli
Selman             Heti
Spartak             Kalthi
Altin                 Nikolla
Kristian             Bregu
Ahmet             Ajeti
Osman             Korpuzi  
Bujar                 Gashi

"Banda e Durrësit", në gjyq anëtari i kapur në Itali

TIRANE - Në kohën kur po vazhdon gjykimi i të pandehurve të tjerë të "Bandës së Durrësit", Prokuroria e Krimeve të Rënda ka përfunduar hetimet për njërin nga anëtarët e grupit kriminal që u arrestua pak ditë më parë në Itali. Burimet zyrtare nga Prokuroria thanë se, kanë përfunduar hetimet dhe është dërguar në gjykatë, dosja penale ndaj Bujar Gashit, i cili hetohej në mungesë deri pak ditë më parë kur ra në pranga në Itali. Pas përfundimit të hetimeve paraprake, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në gjyq dosjen penale ndaj të pandehurit Bujar Gashi, duke ngritur ndaj tij akuzat për "pjesëmarrje në organizatë kriminale, kryerje të krimeve nga organizata kriminale, vrasje me paramendim dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake". Prokuroria e akuzon Buraj Gashin se bashkë me të akuzuar të tjerë si anëtarë të bandës, ka marrë pjesë në vrasjen e Dritan Dishës. "Në datën 9 korrik 2000 në vendin e quajtur Shenavlash, të dyshuarit Dritan Coli, Indrit Dokle, Indrit Taullai dhe Bujar Gashi kanë vrarë Dritan Dishën, i cili po udhëtonte me një makinë "BMW" në drejtim të banesës së tij. Viktima Dritan Disha ka qenë lidhje shoqërore e Erjon Lames dhe Marsel Sotirit", citohet në aktakuzën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me hetimin e kësaj çështjeje. Bujar Gashi, i cili hetohej në mungesë për shkak se policia nuk kishte arritur ta arrestonte, ra në pranga pak ditë më parë në Itali. Autoritetet e vendit fqinj pritet ta ekstradojnë të kërkuarin në Shqipëri për të qenë i pranishëm në procesin, që do të zhvillohet në Gjykatën e Krimeve të Rënda pas dorëzimit të dosjes së Prokurorisë në këtë institucion. Bujar Gashi ishte shpallur në kërkim nga Prokuroria por organet e policisë nuk arritën lokalizimin e tij për shkak se ai ndodhej jashtë vendit. Në këtë mënyrë, zyra e Interpol Tirana shpalli urdhrin ndërkombëtar të arrestit ndaj tij dhe Prokuroria vazhdoi hetimet në mungesë për dokumentimin e veprimtarisë kriminale të personit të dyshuar.                                         t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›