“Fazlliç”, përgjigjja e bankave vërteton transaksionin nga Qiproja
Përgjigjet e bankave shqiptare për Prokurorinë e Përgjithshme kanë vërtetuar se ka pasur transaksion në vlerën 1.75 milionë euro për firmën “Croun Acquisition” të Damir Fazlliçit. Dy ditët e fundit kanë mbërritur përgjigjet e para nga bankat, pas kërkesës së prokurorisë, ndërsa mësohet se nga organi i akuzës është kërkuar informacion i hollësishëm për të gjitha depozitat dhe transaksionet e kryera nga Fazlliçi në Shqipëri. Ndonëse kanë mundur të sigurojnë në cilësinë e provës aktin e transaksionit, prokurorët nuk kanë bërë të ditur emrin e bankës shqiptare në të cilën është bërë depozitimi. Por ata kanë shpjeguar se zanafilla e llogarisë që erdhi nga firma qipriote rezulton me gjurmë në Zvicër dhe në Qipro. Shitja fiktive prej 1.75 milionë eurosh, e denoncuar në media, dha sinjalin që edhe prokuroria të hetonte për evazion fiskal. Sigurimi i provës së transaksionit nga bankat i vë kapak gjithë historisë duke vërtetuar gjithë procesin fiktiv të shitjes së kompanisë dhe shmangies së taksave. Më datën 9 korrik 2007, Damir Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kësaj firme (me vendim gjykate nr. 34011/2 të gjyqtares Majlinda Dogga) për llogari të një firme të regjistruar në Nikosia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola. Nga termat e kontratës del se firma “Croun Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 750 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës. Por, sikurse u zbulua më vonë, rezultonte se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliçit. Madje të dhënat nga Tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Pikërisht për të mbrojtur të drejtat e biznesmenit Fazlliç, kanë ardhur dje në Tiranë dhe dy avokatë të dërguar prej tij, të cilët janë njohur me aktet e sekuestruara nga prokuroria.
18 Tetor 2008