E Diel, 1 Nëntor 2026

Vasili: “Zgjedhjet në Shqipëri janë më në rrezik se kurrë”



Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka përshëndetur shqetësimin e OSBE-së lidhur me vonesat në hartimin dhe realizimin e Reformës Elektorale. Vasili tha se raporti më i fundit i OSBE-së është një provë e qartë se shqetësimet madhore për rrezikimin serioz të demokracisë në Shqipëri janë tashmë prezent edhe në institucionet ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së tha se procesit zgjedhor në Shqipëri po i kanoset një rrezik i madh. Ai theksoi se LSI nuk do të rresht së denoncuari manipulimet dhe intrigat që po tentojnë të deformojnë këtë proces. “LSI-ja, në komunikim të vazhdueshëm me institucionet më të larta europiane si Komisioni Europian, OSBE, ODIHR, Departamenti Amerikan i Shtetit si dhe të gjithë përfaqësuesit më të lartë të Trupit Diplomatik në Shqipëri për rrezikimin serioz të zgjedhjeve si dhe ka paralajmëruar dhe informuar këta të fundit në mënyrë të vazhdueshme dhe zyrtarisht për degjenerimin e procesit të Reformës Zgjedhore e devijimin manipulativ dhe antidemokratik të tij, duke u bazuar në bindjen e fortë se Shqipëria është në prag të një destabilizimi të rëndë politiko-social që kushtëzohet në mënyre direkte nga realizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri”, - tha Vasili.

Deputetët e PS-së në Berat: “Topalli shpërdoroi detyrën”

Deputetët socialistë të qarkut të Beratit akuzuan kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se ka shpërdoruar detyrën. Deputetët Bashkim Fino, Erion Braçe e Marko Bello, në një komunikim mediatik kanë shprehur shqetësimin se Topalli, duke shpërdoruar autoritetin e saj si kryetare e Kuvendit, ka mbyllur të gjitha institucionet e arsimit dhe shëndetësisë në Berat me rastin e vizitës së saj në këtë rreth. “Në këto çaste nënkryetarja e PD-së, Jozefina Çobaj Topalli, ka lajmëruar një miting me gra të qytetit të Beratit, në kuadër të turit të saj grotesk “Gratë për gratë”. Duke shfrytëzuar autoritetin e saj si kryetare e Kuvendit, si në të gjithë vendin, edhe në qytetin e Beratit, prej orës 8:30 të mëngjesit të gjitha shkollat 9-vjeçare dhe të mesme, në rrethet Kuçovë dhe Berat janë mbyllur. Mësueset dhe infermieret prej ditës së djeshme janë urdhëruar të lënë ditën e punës dhe të jenë në miting e nënkryetares së PD-së në kalanë e Beratit”, - thuhet në deklaratën e përbashkët të deputetëve të Partisë Socialiste në qarkun e Beratit. Këtë nismë të kryetares së Kuvendit, deputetët e qarkut të Beratit, Bashkim Fino, Erion Braçe dhe Marko Bello e kanë cilësuar si dhunë verbale dhe politike të strukturave të PD-së dhe shpërdorim të pastër të pushtetit ndaj të gjithë të punësuarve në administratën publike.

18 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›