E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtimet e lindjes së Krishtit, duke ndihmuar të varfrit

Ka qenë një atmosferë e veçantë kremtimi i Krishtlindjes në gjithë rrethet e vendit. Përveç aspektit të festimit, komunitetet fetare kanë ndërmarrë edhe aktivitete të rëndësishme për të përhapur mesazhin e rëndësishëm që Dita e Lindjes së Jezu Krishtit përhap për gjithë njerëzit: Të japë më shumë dashuri dhe solidaritet.

Fier

Është festuar në Qarkun e Fierit dita e Krishtlindjes. Në kishën e Shën Gjergjit, të qytetit të Fierit, dhe në të gjitha kishat në rang qarku, festa e lindjes së Krishtit ka nisur që pasditen e së mërkurës me ceremoni të zhvilluara në kisha të ndryshme dhe në mjaft qendra të zonave të banuara. Pas kësaj, festa ka vijuar përgjatë gjithë natës, si dhe paradites së enjte. Besimtarë të shumtë kanë marrë pjesë në ceremoninë e lindjes së Krishtit dhe në meshat e mbajtura me këtë rast në të gjitha kishat e Fierit, të cilat kanë hapur dyert në këtë ditë feste. Ndërsa paraditen e së enjtes drejtuesit e pushtetit vendor e qendror, drejtues të mjaft institucioneve, si dhe të forcave politike në Fier, përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare, kanë uruar besimtarët kristianë si dhe klerët drejtues të kishave, të cilat bëjnë pjesë në Mitropolinë e Beratit. Atmosfera festive ka rrëmbyer zemrat dhe vëmendjen e komunitetit të Qarkut të Fierit, të cilët kanë vizituar pa ndërprerje përgjatë të mërkurës dhe të enjtes kishat. Mesha festive u zhvillua në orën 10:00 të paradites së enjte, kurse në mesditë është ngritur një tryezë e madhe për të gjitha familjet e varfra. Komuniteti kristian në Fier zë një pjesë të madhe të popullsisë, ndërsa bashkëjetesa e komuniteteve të ndryshme fetare në Myzeqe është një shembull i mirë për të gjithë vendin.

Sarandë

Banorët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë kanë qenë të ftuarit e fondacionit "Shpresë për Botën" për një darkë te bar "Limani" në qytetin e Sarandës. Në këtë darkë ata kanë recituar një pjesë në vargje të lindjes së Krishtit, sipas Lukës dhe Markut.

Me rastin e Krishtlindjes, fondacioni "Shpresë për Botën" ka dhënë një darkë te bar "Limani" për fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Shkollorë të Sarandës. Fatos Demiri, drejtor i fondacionit për Sarandën, i ka uruar fëmijët për Krishtlindjen dhe i ka ftuar ata të darkojnë së bashku. Dëshira dhe interpretimi i tyre modest ka sjellë në kohë ngjarjen e madhe. Edukatorja Vera Diamanti ka bërë prezantimin e kësaj përgatitjeje festive të fëmijëve. Performanca e fëmijëve ka vijuar me pjesë të ndryshme të recituara prej tyre. Për ta janë shpërndarë dhurata të ndryshme dhe pastaj kanë darkuar së bashku.

Pranë fëmijëve jetimë në këtë festë të vogël kanë qenë edhe drejtorja e institucionit, Elida Vogli, dhe përfaqësues nga Bashkia e Sarandës.

Berat

Besimtarët e krishterë të qytetit të Beratit kanë festuar dje 25 dhjetorin, festën e tyre të njohur si ardhjen në botë të Jezu Krishtit. E kanë nisur festën me kryerjen e riteve fetare në kishat e qytetit, për të vazhduar me një drekë nëpër banesat e tyre dhe përfunduar me kryerjen e vizitave në shtëpitë e njëri-tjetrit, duke uruar për festën. Kjo ka qenë atmosfera e festës dje në qytetin muze të Beratit. Rite fetare të kësaj feste janë kryer gati në të gjitha kishat e qytetit, por ajo që ka mbledhur më tepër vizitorë ka qenë kisha e Shën Spirillonit, në lagjen "Goricë". Qindra të krishterë kanë pritur orën 24:00 të së mërkurës për të festuar ardhjen në këtë botë të birit të perëndisë. Në ambientet e kësaj kishe kanë nisur kryerjet e riteve fetare të kësaj feste, pikërisht pasi akrepat e orës kanë shënuar 24:00 me ardhjen e ditës së Krishtlindjes. Besimtarët kanë ndjekur nga afër ritet e kësaj feste, ndërsa kanë uruar njëri-tjetrin për më tepër dashuri në botë. Gjatë gjithë paradites së sotme pranë Mitropolisë së qytetit, autoritet lokale kanë kryer vizita për festën. Vizita kanë kryer dhe drejtuesit e Myftinisë, Teqesë dhe shumë banorë të këtij qyteti. Pasi kanë kryer të gjitha ritet e festës, besimtarët kanë organizuar drekën tradicionale të Krishtlindjes. Gati të gjithë besimtarët janë përpjekur që atmosferës së drekës mos t‘i mungojë thuajse asgjë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›