Meta: Ne, partia e kauzave të mëdha
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, zhvilloi dje një takim me anëtarë dhe simpatizantë në minibashkinë nr.8 të Tiranës. Në këtë bashkëbisedim Meta u shoqërua nga nënkryetarja Filloreta Kodra, sekretari për marrëdhëniet me publikun, Luan Rama. Kryetari i LSI-së u shpreh entuziast për suksesin që LSI-ja do ketë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2009. Këtë optimizëm, Meta e ilustroi me mbështetjen e madhe që sipas tij kauzat e LSI po gjejnë te qytetarët dhe te shoqëria civile. Teksa vlerësoi punën e bërë nga strukturat e LSI-së në këtë njësi bashkiake, ai u shpreh i bindur për fitoren historike që do ketë LSI-ja në këtë njësi, duke dalë forca e parë politike jo vetëm në këtë njësi, por në të gjithë Tiranën. Duke vazhduar në këtë linjë, Meta këmbënguli se LSI-ja është e vetmja parti që sjell ndryshimin e vendit. "Në këtë drejtim, LSI-ja është afirmuar si një forcë që qëndron për çështje të rëndësishme, çështje të mëdha, për kauza të mëdha që i intereson gjithë shqiptarëve, jo vetëm atyre që përkrahin LSI-në, por të gjithë atyre që përkrahin ndryshimin e vendit", u shpreh ai. Në këndvështrimin e Metës, kjo është një forcë politike tepër serioze, jo vetëm për gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë me demokracinë dhe me shtetin, por edhe me gjërat më të rëndësishme që kanë të bëjnë edhe me probleme ekonomike dhe sociale. "Ne jemi e vetmja forcë politike që ka paraqitur një projektligj për nxitjen e investimeve në sektorin elektro-energjetik që në nëntor të 2005, pra që në fillim të këtij Parlamenti, e cila nëse do të ishte marrë parasysh ekzaktësisht ashtu si e paraqitëm ne nga kjo qeveri, do të kishim ndërtimin e mjaft veprave energjetike në vend", konstatoi Meta. Duke shtuar se LSI-ja si forcë politike, edhe pse bazë të saj elektorale përgjithësisht ka gjeneratën e re, ka treguar vëmendjen e duhur ndaj moshës së tretë dhe është e vetmja forcë politike që ka paraqitur para 7-8 muajsh një projektligj për këtë kategori shoqërore. Berisha, bëri thirrje Meta, mos të bëjë sikur jep disa fonde për të moshuarit në prag të festave të fundvitit, por në rast si ai do të kishte vërtet vullnetin politik për të mbështetur moshën e tretë, nuk e mbante prej kaq muajsh këtë projektligj, i cili është bërë në bashkëpunim me Sindikatën e Pensionistëve dhe duke u bazuar në modele të vendeve evropiane. "Pasi kjo moshë është një gjeneratë që po vuan shumë, që ka sakrifikuar shumë, dhe që në këto vite duhet që ne të tregojmë një mirënjohje dhe një kujdes jo vetëm me fjalë, por edhe përmes ligjeve dhe shërbimeve që duhen ofruar", insistoi Meta. Ndër të tjera, ai shprehu bindjen se LSI-ja përfaqëson atë alternativë e cila shikon nga shqiptarët, atë alternativë që shikon nga e ardhmja dhe nga interesat kombëtare. "Këto kanë qenë dhe mbeten përherë referenca mbi filozofinë politike të LSI-së dhe kjo është arsyeja që ne ndihemi gjithmonë edhe më shumë më të përkrahur nga opinioni publik", vlerësoi Meta.