E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fazlliç, vizitë në shtëpinë e Berishës, e shoqëron Garda e Republikës



Damir Fazlliç jo vetëm është miku i kryeministrit Berisha, por sikurse tregon edhe fotoja ai është edhe mik shtëpie i kryeministrit. Menjëherë pas kthimit nga Bosnja, kryeministri Berisha ka pritur në shtëpinë e tij sekserin boshnjak Damir Fazlliç, i akuzuar për lidhje të dyshimta me familjen kryeministrore, si dhe për evazion fiskal dhe pastrim parash. Një kamera amatore ka filmuar mbrëmë Fazlliçin duke dalë nga apartamenti i Berishës dhe pamjet janë transmetuar në emisionin Fiks Fare, ndërkohë që punonjësit e Gardës siguronin Fazlliçin që të hipte në makinë dhe të shkonte i sigurt në destinacion. Damir Fazlliç ka bujtur në apartamentin e kryeministrit rreth orës 22.00 dhe është parë të dalë prej andej në orën 23.30. Në fakt, kryeministri Berisha nuk e ka mohuar asnjëherë miqësinë e tij me biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç, i cili ka një emër jo pak të përfolur në vendin e tij për biznese të dyshimta dhe lidhje me eksponentë të mafias ballkanike. Nuk dihet se çfarë ka biseduar për dy orë në shtëpinë e kryeministrit sekseri boshnjak, por vetë fakti që Fazlliç viziton kryeministrin menjëherë pas kthimit të tij nga Bosnja flet shumë. Ndërkohë, Fazlliç dyshohet se është njeriu që ka fituar dhe shumë tendera në vendin tonë. Gjithashtu, në bazë të këtij informacioni që ka marrë pranë kryeministrit, Fazlliç arriti të merrte toka me çmim të lirë në Porto Romano dhe vetëm pak muaj më pas Berisha miratoi në KRRTRSH që në këtë vend, ku Fazlliç kishte blerë disa hektarë, të ndërtohej parku energjetik, gjë që ia ngriti vlerën disafish tokës të blerë fare lirë nga Fazlliç. Damir Fazlliç u bë i njohur në vjeshtën e vitit të shkuar kur media shqiptare publikoi për herë të parë lidhjet e tij me kryeministrin Berisha dhe familjen e këtij. I ardhur në Shqipëri në vitin 2005, Fazlliç ka regjistruar menjëherë tri kompani qysh javën e parë që z. Berisha erdhi në pushtet. Më 19 nëntor të vitit 2005, biznesmeni Damir Fazlliç dhe administratori Erion Isufi regjistruan dy firma të ndryshme: “SRF DEVELOPMENT” dhe “VIRTU ACQUISITONS”. Një ditë më vonë, Fazlliç dhe Isufi nuk vonuan dhe hapën edhe një firmë të tretë, të cilën e quajtën “CROWN ACQUISITIONS”. Nga një vështrim mbi praktikën zyrtare që ndoqën këta dy persona del se për të trija këto firma është lënë si adresë e selisë së tyre qendrore e njëjta adresë që administratori Isufi ka lënë si vendbanimin e tij (Rr. “Shilasi Dishnica”, Pallati 2/4). Por ngjashmëritë vazhdojnë edhe me statutet dhe qëllimet e këtyre firmave, të cilat kanë ekzakt të njëjtin grup objektivash. Është e qartë se ndërsa kunat kishte ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Erion Isufi vendosi të bëjë administratorin e tri firmave që zhvillonin projekte ndërtimi dhe urbane, por dhe ndërmjetësim të pasurive të paluajtshme.

27 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›